Përkthim & përshtatje nga Vogue 

Nëse mund të pije proteinë që ndihet e lehtë, nuk të shqetëson stomakun dhe ka shije të mirë, ka shumë gjasa që do ta blije me shumicë. Pikërisht kjo është arsyeja pse të gjithë janë të entuziazmuar me trendin më të ri të mirëqenies: clear protein (proteina e tejdukshme).

Clear protein ofron një mënyrë më të lehtë (dhe më të shijshme) për të konsumuar këtë lëndë ushqyese që po përmendet gjithandej. “Plotëson një boshllëk në treg për konsumatorët që duan shumë proteinë, por pa ndjesinë e rëndë të atyre klasike,” shpjegon dietologia Lauren Manaker. “Për më tepër, është vizualisht tërheqëse dhe përputhet me trendin e produkteve të shëndetshme për konsum të shpejtë.”

Por çfarë është saktësisht clear protein? Dhe a e meriton gjithë këtë zhurmë?


Çfarë është clear protein?
Sipas Samantha Dieras, specialiste në ushqyerje klinike në Mount Sinai Hospital, clear protein është një lloj pluhuri proteinik që përpunohet më tej për të hequr yndyrnat, laktozën dhe përbërësit e tjerë, duke krijuar një suplement të pasur në proteinë, por që tretet lehtësisht në ujë dhe ka konsistencën e një lëngu frutash.

“Zakonisht krijohet nga hydrolyzed whey isolate – një proteinë e izoluar nga hirra që është filtruar për të hequr karbohidratet dhe yndyrnat,” shton Manaker. “Kur përzihet me ujë, merr një pamje të tejdukshme e të ngjashme me ujin me shije.”


Përfitimet e clear protein
1. Proteinë e lartë, kalori të pakta
Clear protein ka shumë pak kalori, yndyrna dhe karbohidrate, por sërish përmban sasi të ngjashme proteine me suplementet klasike.

2. Lehtë për t’u tretur
Për shkak të përpunimit të saj, proteina përthithet më lehtë në trup. Është opsion ideal për ata që kanë vështirësi me shshake tradicionale, apo që janë intolerantë ndaj laktozës.

3. Me shije më të këndshme
Proteinat klasike ndonjëherë janë të trasha dhe të vështira për t’u konsumuar. Clear protein, përkundrazi, ka konsistencë të lehtë dhe vjen me shumë shije të freskëta, që i pëlqejnë një game më të gjerë konsumatorësh.

A është thjesht një trend?
Në fakt, jo. Clear protein është përdorur prej kohësh në mjedise spitalore me produkte si Ensure Clear apo Boost Breeze. Thjesht është bërë virale së fundmi në rrjete sociale.


Clear protein vs Whey protein
Të dyja janë forma të proteinës së hirrës, por clear protein është më e përpunuar dhe ka shije e pamje më të lehtë.
Zgjedhja varet nga objektivat tuaja:

Nëse je në deficit kalorik: Clear protein mund të të ndihmojë të marrësh proteina pa i kaluar kaloritë.
Nëse do të shtosh masë muskulore: Mund të të nevojitet një opsion me më shumë kalori.
Të dyja ofrojnë aminoacide esenciale, prandaj në fund të fundit, gjithçka varet nga preferenca dhe rutina personale.


Si të zgjedhësh proteinën e duhur për ty?
Zgjedh sipas stilit tënd të jetesës dhe mënyrës si të pëlqen ta konsumosh: në një shije freskuese me ujë, apo në një shshake kremoze klasike.

Kujdes me etiketat. Zgjidh produkte që testohen nga palë të treta dhe shmang ato me sheqerna të shtuara apo mbushës të panevojshëm. Nëse je në dyshim, këshillohu me mjekun ose dietologun për të kuptuar nëse clear protein është zgjidhja e duhur për ty.

Kujdes: Suplement, jo zëvendësim vakti
Edhe pse është një shtesë e mirë për regjimin tënd, ushqimi i vërtetë mbetet burimi më i mirë i proteinës: mish pule, peshk, fasule apo tofu. “Mos harro, clear protein është një suplement, jo një zëvendësim për një vakt të plotë,” përfundon Manaker.