Përkthim dhe përshtatje nga Vogue

Flokët tanë kanë mënyra të ndryshme për të treguar se diçka nuk shkon: stres, produkte stilimi, shampon që pretendojnë se janë “clean”. Por ndonjëherë, problemi është më i thellë. Vitamina A shpesh anashkalohet, edhe pse është thelbësore për shëndetin e skalpit dhe forcën e flokëve.

Pak vitaminë A? Mund të çojë në tharje, brishtësi dhe një skalp që luspohet.
Shumë vitaminë A? Mund të sjellë rënie flokësh. Si gjithmonë, sekreti është ekuilibri.


Çfarë bën vitamina A për flokët?
“Vitamina A është si stilistja në prapaskenë e skalpit tënd,” thotë dermatologia Dr. Chytra V Anand. Ajo ndihmon në prodhimin e sebumit, vajit natyral që mban të hidratuar lëkurën dhe flokët. Gjithashtu, ndihmon në rigjenerimin e qelizave dhe funksionin e folikulave, të domosdoshëm për rritjen e re të flokëve.

Pa sebum? Skalpi bëhet i thatë, i irrituar dhe i luspuar – kushte që pengojnë rritjen e flokëve.

A ndihmon vërtet vitamina A për rritjen e flokëve?
Po, por jo duke e “shpejtuar” rritjen, por duke krijuar kushtet ideale për të. “Nivelet e shëndetshme të vitaminës A ndihmojnë folikulat të kalojnë pa pengesa në fazat e tyre të rritjes, pushimit dhe rigjenerimit,” shpjegon Dr. Sonali Kohli.

Në thelb: një skalp i shëndetshëm, është baza e një cikli të shëndetshëm të flokëve.

Ta hash apo ta aplikosh?
Të dyja!

Vitamina A nëpërmjet ushqimit është baza që ushqen folikulat nga brenda. Burime të mira janë karrotat, perimet jeshile, të verdhat e vezës, mango etj.
Forma topike (serumet për skalpin me retinoidë) përdoren për të përmirësuar cilësinë e lëkurës së kokës, jo për të nxitur rritjen direkte. Kujdes, pasi aplikimi i tepërt mund të shkaktojë tharje dhe irritim.

Po nëse marrim shumë?
“Vitamina A është e tretshme në yndyrë, ndaj trupi nuk e nxjerr lehtë jashtë,” shpjegon Dr. Anand. Doza e lartë, veçanërisht nga suplementet, mund të shkaktojë telogen effluvium – një formë e rënies së flokëve ku shumë qime kalojnë në fazën e rënies përnjëherë.

Kufiri i sigurt për të rriturit është rreth 3,000 mcg (10,000 IU) në ditë.


Ushqimet më të pasura me vitaminë A për flokët
Burime bimore:

Patate e ëmbël
Karrota
Kungull
Spinaq
Speca të kuq
Burime shtazore:

E verdha e vezës
Qumësht, kos, djathë
Peshk yndyror (si salmoni)
Mëlçi (me kujdes)
“Beta-karoteni është forma më e sigurt, sepse trupi konverton vetëm aq sa i duhet,” thekson Dr. Anand. Përthithja përmirësohet nëse këto ushqime konsumohen me yndyrna të shëndetshme si avokado, vaj ulliri apo gjalpë i qartë (ghee).


Si duket mungesa e vitaminës A?
Flokë të thatë dhe të brishtë
Skalpi bëhet i luspuar
Lëkura rreth folikulave bëhet me gunga të vogla (folikular keratosis)
Thinning, rrallim dhe rënie e përgjithshme e flokëve

A vlejnë produktet me vitaminë A për skalpin?
Dr. Mour sugjeron të fillohet gjithmonë me ushqimin. “Dieta është hapi i parë për përmirësimin e flokëve. Serumet mund të ndihmojnë për cilësinë e skalpit, veçanërisht kur kombinohen me përbërës si peptide apo faktorë rritjeje.”