Nga Vogue
Përktheu: Revista Class

Në shumë mënyra, je ajo që ha. Dhe edhe pse nuk do të shndërrohem në një “Swedish Fish” së shpejti, përbërësit që fusim në trup ndikojnë realisht në funksionimin e tij. Për këtë arsye, kur hyra në të 30-at, nisa të ushqehem me një dietë të pasur me kolagjen. Ushqimet që përmbajnë këtë proteinë mund të përmirësojnë ndjeshëm lëkurën dhe nyjat.

Çfarë është kolagjeni?
Kolagjeni është proteina që i jep lëkurës qëndrueshmëri dhe butësi, mbron organet e brendshme dhe ndërton kërce, muskuj dhe kocka të forta. Pa të, trupi ynë do të ishte thjesht një masë pa formë.

Për fytyrën, kolagjeni krijon një “skelet” të brendshëm që mban lëkurën të tendosur dhe ndihmon në shmangien e rrudhave. Rreth 33% e proteinës në trup është kolagjen, por prodhimi i tij fillon të ulet pas moshës 30-vjeçare – pikërisht kur fillojnë të shfaqen rrudhat dhe nyjat që kërcasin.

Përveç suplementeve apo modës së kafes me kolagjen si Jennifer Aniston, mënyra më e thjeshtë për ta shtuar këtë proteinë është nëpërmjet ushqimit. Më poshtë janë disa prej burimeve më të mira.

Ushqimet e pasura me kolagjen:
1. Lëngu i kockave
I preferuar nga të famshmit dhe dashamirët e wellness-it, ky lëng përgatitet duke zier ngadalë kockat, kërcejtë dhe tendinat e kafshëve të pasura me kolagjen tip 1, më i dobishmi për lëkurën, flokët dhe thonjtë. Mund ta konsumoni si pije të ngrohtë me vakte. Është gjithashtu burim i mirë aminoacidesh dhe mineralesh si squfuri, magnezi dhe kalciumi.

2. Mishi i pulës dhe gjelit të detit
Zgjidhni pjesë si lëkura, kofshët dhe krahët, jo vetëm gjoksin, pasi aty ndodhen më shumë përqendrime kolagjeni.

3. Salmoni
Salmoni dhe peshq të ngjashëm si skumbria apo sardelet (sidomos kur hahen të plota) janë burime të shkëlqyera të kolagjenit. Ideal është të konsumohen me lëkurë.

4. Mishi i kuq
Viçi, derri apo qengji janë burime të mira, por kujdes: kolagjeni ndodhet kryesisht në indet lidhëse dhe tendina, të cilat janë pjesët më fibrinoze. Prandaj, për një dozë të mirë kolagjeni, zgjidhni pjesë si brinjët.

5. Të bardhat e vezës
Edhe pse veza nuk përmban kolagjen vetë, e bardha përmban aminoacidet prolinë dhe glicinë, të domosdoshme për prodhimin e tij.

6. Gaforret dhe molusqet (si gocat e detit)
Jo vetëm afrodiziak, por dhe burim i zinkut, bakrit dhe aminoacideve si prolinë dhe lizina, që janë pararendës të kolagjenit.

7. Specat e kuq
Nuk përmbajnë kolagjen, por janë jashtëzakonisht të pasur me vitaminë C – shumë më shumë se agrumet – e cila është esenciale për sintezën e kolagjenit. Kombinimi me mish ose peshk rrit përthithjen.

8. Hudhra
Përveç mbështetjes së sistemit imunitar dhe qetësimit të inflamacionit, hudhra ndihmon edhe në prodhimin e kolagjenit. Përmban një kombinim të fuqishëm të vitaminës C, zinkut dhe bakrit.

9. Bishtajoret
Miqësore për vegjetarianët, qiqrat dhe thjerrëzat janë të pasura me proteina dhe përbërës që ndihmojnë sintezën e kolagjenit si vitamina C, silikoni dhe magnezi.