Ermal Mamaqi, një prej figurave më të njohura dhe më të ndjekura të showbiz-it shqiptar, ka folur për herë të parë pa filtra për vendimin e tij për t’u larguar nga televizioni. I ftuar në emisionin “Flet”, aktori dhe producenti i suksesshëm rrëfeu prapaskenat e këtij vendimi që, për shumë prej ndjekësve të tij, mbeti një mister.
“Mendoj që koha ime për atë lloj show kishte kaluar,” – u shpreh Mamaqi, duke pranuar se e kishte ndjerë se energjia që dikur e karakterizonte kishte filluar të zbehej. “E di kur është momenti më i mirë për të mbyllur një bisedë? Kur është në kulmin e saj. E ndjeva që po shkoja poshtë, dhe aty mbaroi,” – shtoi ai.
Ai pranoi se ishte i vetëdijshëm për ndryshimin që kishte ndodhur brenda tij dhe për nevojën për të mos u përsëritur.
“Televizioni është një mashtrim i madh. Nuk më mungon. Kur e realizon veten në forma të tjera, nuk ndjen më mungesën e ekranit,” – tha aktori.
Ai është aktualisht i përfshirë në projekte të tjera, kryesisht në fushën e zhvillimit personal dhe biznesit, duke ndërtuar një platformë të re ndikimi jashtë kornizave të ekranit.
Por, për fansat që shpresojnë në një rikthim, Mamaqi nuk mbyll të gjitha dyert. “Më kanë ardhur disa oferta. I kam falënderuar, por nuk më kanë bindur. Nëse do të vinte një projekt ndryshe, sfidues, do ta pranoja me kënaqësi.”