Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, janë bërë sërish temë diskutimi pas një tjetër momenti të pakëndshëm publik, që vjen më pak se dy muaj pas “incidentit të shtyrjes” që bëri bujë në mediat botërore.

Çifti presidencial mbërriti të martën në Londër për një vizitë shtetërore tre-ditore në Mbretërinë e Bashkuar. Por, sapo zbritën nga avioni në bazën ajrore RAF Northolt, kamerat kapën një moment që nuk kaloi pa u vënë re: Brigitte shmangu krahun e zgjatur të bashkëshortit të saj, duke preferuar të mbahej fort pas parmakut të shkallëve së avionit.

Në pamjet që bënë xhiron e rrjetit, Macron, 47 vjeç, shihet teksa afron dorën për ta ndihmuar bashkëshorten e tij 72-vjeçare, por ajo zgjedh të mos e kapë nga dora, duke e injoruar për disa çaste. Pavarësisht kësaj, sapo u ul në tokë, Brigitte i dha një buzëqeshje të lehtë Emmanuelit dhe shkëmbyen disa fjalë të shkurtra, si për të zbutur situatën.

Në pritje të tyre ishte edhe Princi William, i cili u përshëndet me presidentin francez menjëherë pas zbritjes nga avioni. Ai shoqërohej nga Kate Middleton, në një mikpritje të ngrohtë që shënoi fillimin zyrtar të vizitës shtetërore të Macrons në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky ndërveprim i ftohtë vjen pas një incidenti që ndodhi në maj, gjatë një vizite shtetërore në Hanoi, ku Brigitte u kap nga kamerat teksa vendoste të dy duart në fytyrën e Emmanuelit dhe e shtynte pas. Presidenti e minimizoi episodin, duke e përshkruar si një shaka mes çiftit. “Po talleshim, njerëzit duhet të qetësohen,” u shpreh ai atëherë.

Një burim për Agence France-Presse e cilësoi momentin si një “shkrehje tensioni mes bashkëshortëve” përpara nisjes së takimeve zyrtare, duke i quajtur spekulimet konspirative të pabaza.

Megjithatë, ekspertët e gjuhës së trupit nuk janë bindur nga ky interpretim. Ekspertja Judi James komentoi për Daily Mail:
“Sikur të ishte dora e tij në fytyrën e saj, a do ta quanim shaka? Atëherë nuk duhet të justifikohet as nga ajo përballë tij.”

Për më tepër, gjatë zbritjes së avionit në Londër, një lexues buzësh pohon se Brigitte, teksa kalonte pranë Emmanuelit pa ia pranuar krahun, ka murmuritur:
“Dégage, espèce de loser”, që përkthehet: “Largohu, humbës.”

Deri më tani, as çifti Macron dhe as zyra e presidencës franceze nuk kanë dhënë një koment zyrtar për ngjarjen e fundit.