Në një epokë ku jemi tepër të lidhur me botën dixhitale, Amal Clooney vendos të ecë kundër rrymës, duke mbrojtur marrëdhëniet autentike dhe ndërveprimet reale. Si ia del? Me një rregull kaq të thjeshtë, saqë është edhe jashtëzakonisht efektiv: kur miqtë shkojnë në shtëpinë e saj dhe të bashkëshortit, George Clooney, u kërkohet me shumë mirësjellje të fikin telefonat.

“Celularët vendosen në një shportë dhe lihen atje”, rrëfen vetë Amal Clooney në një intervistë të fundit për revistën Glamour UK, duke shpjeguar se ky ritual i vogël i shkëputjes dixhitale është kthyer në pjesë përbërëse të mënyrës së saj të të jetuarit dhe mikpritjes. Qëllimi? Të krijojë momente të vërteta intimiteti me miqtë dhe familjarët, të lira nga shpërqendrimet dhe ndërhyrjet e teknologjisë.

Amal Clooney, avokate për të drejtat e njeriut, bashkëshortja e yllit të Hollywood George Clooney dhe nënë e binjakëve Alexander dhe Ella, të lindur në vitin 2017, ndau mendimin e saj në këtë intervistë: “E vërteta është që është bërë gjithnjë e më e vështirë të krijosh hapësira vërtet private, prandaj vendosa të vendos disa rregulla të qarta, si ajo për mbledhjen e telefonave të të ftuarve”, shpjegoi ajo.

Një rregull që përfshihet në një “sistem” më të gjerë që Amal dhe George kanë ndërtuar me vetëdije për të mbrojtur familjen dhe privatësinë e tyre. Që prej lindjes së binjakëve, çifti ka shmangur me këmbëngulje ekspozimin e tyre në publik, fotografimin apo ndarjen e imazheve të tyre në rrjetet sociale. “Bëjmë ç’është e mundur për të minimizuar ekspozimin e fëmijëve tanë. Nuk kemi publikuar asnjëherë një foto të tyre, as kemi ndarë ndonjë gjë që i përket atyre”, deklaroi Amal Clooney.