Barbie po sjell në jetë kukullën e saj të parë me diabet të tipit 1, njoftoi kompania Mattel të martën. Kukulla e re vjen me një monitor të vazhdueshëm të glukozës dhe një pompë insuline, dy pajisje mjekësore që përdoren nga personat me këtë sëmundje kronike, ku trupi nuk prodhon ose nuk përdor mjaftueshëm hormonin insulinë.
“Prezantimi i një kukulle Barbie me diabet të tipit 1 është një hap i rëndësishëm në angazhimin tonë për përfshirje dhe përfaqësim,” tha Krista Berger, zv.presidente e lartë e Barbie dhe drejtore globale e linjës së kukullave.
“Barbie ndikon në mënyrën se si fëmijët formojnë perceptimet e tyre të para për botën dhe, duke përfshirë gjendje mjekësore si kjo, ndihmojmë që më shumë fëmijë të ndihen të përfaqësuar në historitë që krijojnë dhe te lodrat që duan.”
Kukulla është pjesë e linjës Fashionistas dhe është krijuar në bashkëpunim me organizatën jofitimprurëse Breakthrough T1D.
Sipas Mattel, monitori i glukozës së Barbie është vendosur me një copë shirit mjekësor në formë zemre, me ngjyrë rozë “Barbie”, dhe shoqërohet me një telefon lodër që shfaq një aplikacion për monitorimin e sheqerit në gjak gjatë ditës.
Kukulla gjithashtu ka të vendosur një pompë insuline në belin e saj dhe mban një çantë blu pastel ku mund të vendosë ushqime ose pajisje ndihmëse për diabetin.
“Ishte emocionuese kur Barbie na propozoi të bashkëpunonim për zhvillimin e kësaj kukulle,” u shpreh drejtori ekzekutiv i Breakthrough T1D, Aaron J. Kowalski.
“Unë kam jetuar me diabet që kur isha 13 vjeç, dhe vëllai im që prej moshës 3-vjeçare, ndaj kjo nismë ka një domethënie shumë personale. Është nder të punosh me një markë që ndan të njëjtin vizion për të treguar se jeta me diabet të tipit 1 mund të jetë e plotë, e gjallë dhe fuqizuese.”
Barbie po zgjerohet gjithashtu me dy kukulla të tjera që nderojnë Robin Arzón, instruktore fitnesi te Peloton në SHBA, dhe Lila Moss, modele në Mbretërinë e Bashkuar, të dyja avokate të ndërgjegjësimit për diabetin e tipit 1.
“Që kur u diagnostikova me diabet një dekadë më parë, kam gjetur kuptim të madh në rolin tim si avokate e informimit dhe edukimit rreth kësaj gjendjeje,” tha Arzón.
“Është një nder i madh që të kem një kukull Barbie që më përfaqëson dhe ndihmon fëmijët të kuptojnë se sfidat nuk na ndalojnë, përkundrazi, na japin më shumë arsye për të ndjekur ëndrrat.”