Ndërsa Evropa përjetoi një tjetër valë ekstreme të të nxehtit nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, një analizë e re tronditëse tregon se ngrohja globale, e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ka marrë jetën e rreth 1.500 personave në vetëm 12 qytete të mëdha evropiane. Ky numër i lartë i vdekjeve i atribuohet drejtpërdrejt rritjes së temperaturave për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile dhe mbetet vetëm një fraksion i tragjedisë së vërtetë që mund të ketë prekur dhjetëra mijëra qytetarë në gjithë kontinentin.
Kjo është hera e parë që një analizë e shpejtë shkencore përdoret për të matur ndikimin e ndryshimeve klimatike në një valë të të nxehtit. Studimi është kryer nga shkencëtarët e Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine.
Valët e të nxehtit janë vrasësit më të nënvlerësuar të kohëve moderne. Ndryshe nga përmbytjet apo zjarret që godasin me pamje dramatike, temperaturat ekstreme shkaktojnë vdekje të ngadalta e të padukshme, zakonisht në shtëpi apo spitale, ndërsa trupat e njerëzve dorëzohen ndaj sëmundjeve ekzistuese si diabeti, problemet kardiake apo respiratore.
Sipas raportit, vala e fundit e të nxehtit u bë deri në 4°C më e nxehtë për shkak të ndikimit njerëzor. Mes datave 23 qershor dhe 2 korrik, temperatura në disa vende europiane, si Spanja dhe Portugalia, arriti deri në 46°C. Vetëm gjatë këtyre dhjetë ditëve, studiuesit vlerësojnë se rreth 2.300 persona humbën jetën në 12 qytete, ndërsa mbi 1.500 prej tyre do të kishin mbijetuar nëse klima nuk do të ishte ngrohur nga aktiviteti industrial.
Sipas studimit, ndikimi më i madh u shënua në:
Milano: 317 vdekje të lidhura me ndryshimin klimatik
Barcelona: 286
Paris: 235
Londër: 171
Romë: 164
Madrid: 108 (me përqindjen më të lartë të vdekjeve për shkak të klimës: 90%)
Athinë: 96
Budapesti, Zagrebi, Frankfurti, Lisbona dhe Sassari raportuan më pak viktima, falë pozicionit më të afërt me bregdetin që ofron pak më shumë freski.
Studiuesit theksojnë se qytetet e brendshme, larg detit, janë më të ekspozuara ndaj valëve të forta të të nxehtit për shkak të efektit më të ngadaltë ftohës të oqeanit.
Një nga gjetjet më të forta të studimit është se 88% e viktimave ishin mbi 65 vjeç. Kjo tregon qartë se grupet vulnerabël – të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike – janë më të ekspozuarit ndaj vdekjes së parakohshme gjatë temperaturave ekstreme.
Sipas ekspertëve, disa shtete evropiane kanë bërë progres në ndërtimin e planeve për veprim gjatë valëve të të nxehtit, përmes qendrave ftohëse, mesazheve paralajmëruese dhe përkrahjes për të moshuarit. Por këto nuk mjaftojnë. Nevojiten zgjidhje afatgjata si rritja e hapësirave të gjelbra, zhvillimi urban që ul efektin e "ishullit të nxehtësisë", dhe mbi të gjitha, reduktimi i gazrave serrë.
“Nëse vazhdojmë të ndjekim interesat e industrisë së lëndëve fosile dhe vonojmë reduktimin e emetimeve, gjithnjë e më shumë njerëz do të humbasin jetën,” paralajmëron Dr. Friederike Otto nga Imperial College London.