Pas ndarjes së konfirmuar zyrtarisht, Orlando Bloom dhe Katy Perry janë parë sërish bashkë gjatë një pushimi në bregdetin e mrekullueshëm të Amalfit, në Itali, së bashku me vajzën e tyre katërvjeçare, Daisy Dove. Aktori ndau në Instagram disa foto dhe video nga pushimet, ku bie në sy një imazh i ngrohtë familjar: Daisy mbi supe të babait, ndërsa nëna, me një buzëqeshje të madhe, i mban dorën.
Në të njëjtin jaht ndodheshin edhe djali i madh i Bloom, Flynn (nga martesa e mëparshme me Miranda Kerr), si dhe çifti i sapomartuar Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, në dasmën e të cilëve aktori mori pjesë vetëm, pasi Perry ishte e angazhuar me turneun e saj Lifetimes Tour. Pavarësisht kësaj, ribashkimi i Bloom dhe Perry ka ndezur shpresat te fansat që shpresojnë në një rikthim sentimental të çiftit.
View this post on Instagram
Por a po ndodh vërtet një rikthim në dashuri? Më shumë gjasa ka që prindërit e Daisy-t po qëndrojnë pranë njëri-tjetrit për hir të vajzës. Në një deklaratë të përbashkët të dhënë pak ditë më parë për Page Six, përfaqësuesit e çiftit sqaruan se “Orlando dhe Katy do të vijojnë të shihen bashkë si një familje, sepse prioriteti i tyre mbetet dhe do të mbetet gjithmonë rritja me dashuri, stabilitet dhe respekt i vajzës së tyre.”
Fjalë që konfirmojnë edhe zërat e brendshëm të cituar nga Us Weekly, të cilët theksojnë se marrëdhënia mes tyre është ende e respektueshme dhe e koordinuar për rritjen e Daisy-t.
Shkaku i ndarjes? Mbetet ende i paqartë. Sipas burimeve amerikane, tensionet kishin filluar prej kohësh dhe kishin të bënin edhe me mungesën e një date për martesën ndonëse Bloom kishte bërë një propozim përrallor në Shën Valentin të vitit 2019, me një unazë në bord të një helikopteri. Thuhet se Perry nuk ishte kurrë gati për të planifikuar ceremoninë, dhe kjo ndikoi në raportin mes tyre, veçanërisht pas nisjes së turneut të saj të fundit.
Megjithatë, ajo që mbetet e sigurt është se Katy dhe Orlando po e mbajnë fjalën: edhe në ndarje, ata mbeten bashkë si prindër. Dhe kjo, ndoshta, është forma më e sinqertë e dashurisë që mund të shfaqet në një fund që nuk është fund i vërtetë por fillimi i një kapitulli të ri familjar.