E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi duket gjithnjë e më e paqartë, pasi zikaltrit janë tashmë të hapur për të dëgjuar oferta për mesfushorin e Kombëtares shqiptare.
Sipas mediave italiane, interesimi më konkret së fundmi vjen nga Bolonja. Dy klubet kanë zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me të ardhmen e 22-vjeçarit, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Vincenzo Italiano synon të forcohet për të konkurruar për vendet e para në Serie A dhe një rikthim në Champions League.
Megjithatë, sipas Corriere dello Sport, sapo është bërë publik çmimi prej 18 milionë eurosh që Interi kërkon për kartonin e Asllanit, drejtori sportiv i Bolonjës, Giovanni Sartori, ka bërë të qartë se nuk janë të gatshëm të paguajnë një shifër të tillë.
Pavarësisht kësaj, palët pritet të vijojnë negociatat në ditët në vijim, me Bolonjën që mbetet e interesuar dhe e bindur se Asllani mund të jetë një element kyç për filozofinë e lojës që kërkon të ndërtojë trajneri i ri.