Lauren Pisciotta, ish-asistentja e Kanye West, ka depozituar një version të ri të padisë së saj ligjore, ku ngre një sërë akuzash të rënda ndaj reperit të njohur. Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, ajo e akuzon West për dhunë fizike dhe seksuale, përndjekje, trafik seksual, burgosje të paligjshme dhe ngacmime të tjera sistematike, të cilat pretendohet se ndodhën gjatë një udhëtimi pune në San Francisko.

Në padinë e re, Pisciotta përshkruan skena të tmerrshme, duke pohuar se ai e puthi me forcë dhe më vonë masturboi ndërsa e prekte në mënyrë të papërshtatshme gjatë një sesioni shkrimi në dhomën e hotelit të tij.

Ajo gjithashtu pohon se reperi hyri në dhomën e saj pa leje duke kërkuar të përdorte dushin, dhe më pas kreu dhunim oral ndaj saj ndërsa ajo ishte e paralizuar nga frika.

Një tjetër akuzë tronditëse që ajo ngre është se Kanye “u ofronte gra burrave si dhurata seksuale”, përfshirë edhe vetë Pisciottën, të cilën ai thuhet se ia "ofroi" një personi që po takohej me partneren e tij.

Padia përfshin edhe pretendime se ai e mbylli në dhomën e tij gjatë një udhëtimi me avion ndërsa masturbonte, i dërgonte foto dhe video me përmbajtje seksuale, i kërkonte t’i bashkohej akteve të tij seksuale me gra të tjera, gjë që ajo e refuzonte vazhdimisht.

Pas pushimit nga puna, Pisciotta thotë se West u shpërngul në të njëjtën ndërtesë ku jetonte ajo, gjë që e bëri të ndihej e kërcënuar, dhe një rast, e kapi nga fyti dhe ia lëpiu veshin.

Pisciotta, e cila tashmë është zhvendosur në Florida, pohon se reperi vazhdon ta përndjekë nëpërmjet ngacmimeve në distancë, përfshirë edhe “swatting” (njoftime të rreme për ndërhyrje policore në adresën e saj).

Në muajin qershor 2024, ajo ishte në qendër të mediave për herë të parë kur deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht dhe ishte pushuar në mënyrë të padrejtë nga puna. Avokatët e West në atë kohë i quajtën akuzat “të pabaza dhe të pavlefshme”, duke pretenduar se ishte ajo që po e shantazhonte Kanye-n pasi ai kishte refuzuar marrëdhënie me të.

Ndërsa reperi nuk ka reaguar ende për akuzat më të fundit, avokatët e tij nuk kanë dhënë ende ndonjë koment për versionin e ri të padisë.