Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ndarë për herë të parë përjetimet e tij nga qëndrimi në burgun e Fierit. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji foli për kushtet e rënda në qeli dhe për atë që e cilëson si një padrejtësi që e çoi pas hekurave.
Ai e përshkroi burgimin si një sfidë të thellë njerëzore, por edhe si një “medalje politike”, që, sipas tij, e forcoi në bindjet e veta. Salianji zbuloi gjithashtu se së shpejti do të botojë një libër, ku do të rrëfejë në detaje përvojën e tij në burg.
"Nuk kam nevojë të kem post, që të vijoj aktivitetin tim publik. Dënimi im është me pasoja, sepse për 5 vite nuk mund të jem as deputet. Por në këndvështrimin politik, dënimi politik është medalje për mua. Mund të kemi në PD një muze kujtese për të gjithë shërbëtorët e regjimit, që në shkelje të ligjit, marrin vendime që turpërojnë Shqipërinë, si vend që nuk krijon dot standarde. Në qeli numërohen edhe orët. Jam dënuar për kallëzim të rremë, pa bërë kallëzim fare. Nuk më kanë gjetur akuzë as për korrupsion, për asgjë. Më futën në burg, sepse iu prishja punë për zgjedhje. Dita e parë, për çdo njeri që përfundon në qeli, është moment i vështirë për jetën e njeriut, edhe pse e di se ke mbështetje masive, dhe në spektrin politik ka pasur dakordësi që ishte dënim i padrejtë.
Ajo që të rëndon më shumë burgun është padrejtësia e drejtësisë. Mendoj që jam me personalitet të fortë dhe nuk kam pasur probleme. Qëndrova në qeli, kam shkruar, kam reaguar. Aty kupton që s’ka dhe ujë e duhet të lahesh me kanaçe. Këto do i përshkruaj me detaje në një libër. Nga ana njerëzore, stafi në burgun e Fierit ishin njerëz profesionistë. Situatat janë ndryshe nga ato që janë jashtë. Duhet të shkruash me dorë, të shohësh një TV të vogël. Në ditët e para kërkon ku është telefoni, se je mësuar me instikt, tani prsh më bën përshtypje që e kam telefonin. Pra, që në fillim njeriu nis e mësohet me situatën, qoftë ajo dhe e vështirë. Pritja ka qenë e mirë, njerëzit bërtisnin emrin tim, thërrisnin “Rama ik”, kjo ishte diçka e mirë, se kupton që edhe qytetarët që janë dënuar, dikush me të drejtë e dikush pa të drejtë, e kanë kuptuar se burgosja ime ishte e padrejtë," tha Salianji.