Prej ditësh, rrjetet sociale janë përfshirë nga spekulime mbi një ndarje të mundshme mes Fifit dhe partnerit të saj, Adis Patushi. Shkak u bënë disa postime të koduara emocionalisht, që krijuan një valë dyshimesh mbi gjendjen e çiftit të njohur.

E para që ndezi alarmin ishte vetë këngëtarja. Në llogaritë e saj në rrjete sociale, Fifi shpërndau disa video dhe citate me tone të thella dhimbjeje e zhgënjimi. Në një prej tyre lexohej:
“Një ndër ndjenjat më të vështira për një grua është kur ajo përpiqet të flasë me një burrë lidhur me atë që e lëndon, por në vend që ai të dëgjojë shqetësimin e saj, nis të mbrojë veten.”

Në një tjetër, flitej për frikën që djemtë kanë ndaj grave që kanë vuajtur, ndërsa muzika që shoqëronte videot ishte e mbushur me vargje për dashurinë e humbur dhe plagët e tradhtisë.

Por në këtë “dialog” emocional virtual nuk mungoi as Adisi. Edhe ai ndau me ndjekësit vargje të poetit Agim Doci, që nënkuptonin një ndjesi të thellë vetmie dhe zhgënjimi:
“Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë,
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë...”

Postime të tilla sollën një trysni të madhe spekulimesh mbi një krisje të mundshme në marrëdhënien e tyre. Aq më tepër që Fifi kishte fshirë të gjitha fotot me Adisin nga profili i saj në Instagram.

Megjithatë, duket se realiteti është larg zërave të ndarjes. Gjatë një koncerti të fundit ku Fifi ishte e ftuar speciale, në prapaskenë u pa pikërisht Adisi, i cili po kujdesej për çdo detaj, duke e shoqëruar dhe mbështetur këngëtaren me përkushtim. Një tablo që flet më shumë se çdo postim në rrjet.

Fifi dhe Adisi janë prindër të një djali, Theo Mal, dhe mesa duket, ndonëse kanë kaluar momente të vështira, dashuria për familjen vijon t’i mbajë të bashkuar. Dhe si çdo histori dashurie e vërtetë, edhe kjo duket se ka vend për ringritje.