Princi Harry ka bërë një apel të fundit para dy muajsh, duke shprehur dëshirën për t’u afruar sërish me familjen e tij, veçanërisht me babanë, Mbretin Charles. “Babai im nuk më flet më për shkak të mosmarrëveshjes mbi çështjen e sigurisë. Por jeta është e çmuar, nuk ka kuptim të vazhdojmë të luftojmë; do doja shumë një pajtim,” u shpreh ai në një intervistë ekskluzive për BBC-në.
Sipas disa fotove të publikuara nga Daily Mail, kjo dëshirë duket se po fillon të marrë formë. Tabloidi britanik ka kapur një takim interesant në Royal Over-Seas League, një klub privat pranë Clarence House, rezidencës londineze të mbretit. Në një anë të tryezës ishte Meredith Maines, përgjegjësja e komunikimit për Sussex, ndërsa në anën tjetër Tobyn Andreae, sekretari i komunikimit të mbretit. Po ashtu, në takim ishte edhe Liam Maguire, drejtuesi i ekipit PR të Sussex në Britani të Madhe. Tema e diskutimit nuk bëhet e ditur, por fakti që po diskutojnë së bashku është vetë një lajm i rëndësishëm.
The secret Harry peace summit: King Charles and Duke of Sussex's senior aides meet for talks near royal palace in first step towards reconciliation and strongest sign yet both sides want to resolve bitter family feud https://t.co/QjtpvdPzoJ
— Daily Mail (@DailyMail) July 12, 2025
Një burim i tha gazetës se “është rihapur për herë të parë pas shumë vitesh një kanal dialogu” dhe se “ka çështje për të cilat të dyja palët dëshironin të flisnin”. Megjithëse bisedat ishin informale, ato kanë një rëndësi simbolike të madhe. “Ky është vetëm hapi i parë drejt pajtimit mes babait dhe djalit, por gjithsesi është një hap në atë drejtim. Edhe pse rruga është e gjatë, të gjithë duan të kthejnë faqen dhe të ecin përpara. Ishte koha e duhur për të rihapur komunikimin,” shtoi burimi.
Sipas revistës People, udhëtimi i Meredith Maines në Britani të Madhe është pjesë e detyrave të saj rutinë: të bashkëpunojë me ekipin PR anglez, të menaxhojë kontaktet me mediat dhe të mbajë lidhjet me figurat kryesore që lidhen me patronatet e Harry-t. Nuk dihet nëse ky takim mes stafit të Harry-t dhe Charles-it është i pari i një serie të tillë, por pas shumë mosmarrëveshjesh – përfshirë largimin e Sussex në SHBA, intervista, dokumentarë dhe libra me akuza tani duket se po ndodh një lëvizje konkrete drejt pajtimit.