Ish-banori i Big Brother VIP Albania, Anaid Kaloti, ka reaguar sot me një postim të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në Instagram, duke iu rikthyer polemikave me dy ish-banorë të edicionit të katërt të BBVA, Gjestin dhe Eglin. Me tone therëse dhe ironi të hollë, Anaidi ka akuzuar çiftin për hipokrizi, manipulim publik dhe për ndërtimin e një narrative false për të qëndruar në vëmendje.
Në reagimin e tij, ai përmend një “fabul me pesë dëshmitarë”, ku përfshihen Gjesti, Egli, menaxheri i tyre dhe dy persona të tjerë, duke lënë të nënkuptohet se një ngjarje e papublikuar qëndron pas gjithë kësaj historie. Sipas tij, ajo që shfaqet në rrjete sociale është “aktrim” dhe “skenar i fabrikuar” nga dyshja, të cilët ai i quan tashmë mosmirënjohës, duke theksuar se dikur i ka ndihmuar dhe mbrojtur.
Anaidi nuk i kurseu thumbat individualë. Eglin e përshkruan si “mbretëreshë e heshtjes” që, sipas tij, ka sakrifikuar gjithçka për të mbajtur gjallë këtë histori, ndërsa për Gjestin përdori ironi të hidhur, duke përmendur borxhe të papaguara, faturat e energjisë elektrike dhe lavde të fabrikuara në publik.
Gjesti e kishte quajtur më herët “zemërprishur”, ndërsa Egli, pa e përmendur me emër, kishte publikuar një story ku shkruante: “Një mbretëreshë nuk e lë fronin për t’iu përgjigjur një fshatari që hedh gurë.”
Por Anaidi nuk u tërhoq. Në përfundim të postimit të tij, ai ironizoi reagimet e tyre duke shkruar:
“Në 2025 vetëm chat-gpt mund të trillojë histori kaq të dobët.”