Nëse muzika e tij tingëllon si një rebelim i heshtur dhe tekstet si kode të një ndjeshmërie të ndrojtur, jeta personale e Butës ka ndaluar së qeni mister. Të paktën jo plotësisht. Sepse tani nuk është një këngë e re ajo që po ndez rrjetet, por një emër që po përmendet me shpejtësinë e një hiti: Dea.
Reperi i njohur nga Ferizaj, i cili prej vitesh ka ndërtuar një identitet artistik të qëndrueshëm në skenën urbane shqiptare, duket se po shkruan një faqe të re në jetën e tij personale, një faqe që nuk e ka më titullin “Fjolla”.
Pas një marrëdhënieje disavjeçare me partneren Fjolla, me të cilën ka edhe një vajzë, Irinën, Buta është parë gjithnjë e më shpesh në shoqërinë e një vajze të re, për të cilën burimet e Prive thonë se quhet Dea. Po e njëjta media raporton se, ai dhe Dea janë parë në lokalet më të zhurmshme të Prishtinës dhe Tiranës.
Janë thjesht miq apo diçka më shumë? Është pyetja që po qarkullon në çdo timeline. Dhe përgjigjja nuk është e thënë të vijë menjëherë.
Kjo ndodhi pak javë pasi lidhja me Fjollën u përfol se po kalonte një krizë të thellë. Në maj 2025, burime pranë çiftit flisnin për një ftohje, për distancë, për rrjete sociale që heshtin aty ku dikur mbizotëronte dashuria virtuale.
Buta dhe Fjolla nuk janë parë më bashkë që prej disa muajsh. Në shtator 2021, ai kishte postuar një foto që ngjallte aludime për një martesë të fshehtë, ndërsa në shkurt 2024 bëri publike ardhjen në jetë të vajzës së tyre. Por pas këtij momenti, gjithçka u shua në privatësinë që Fjolla e ka mbrojtur gjithmonë me xhelozi.
Në jetën e një artisti si Buta, ku gjithçka është ritëm dhe ndjesi, ndoshta edhe dashuria ka mënyrën e vet për të hyrë si beat i papritur në një këngë freestyle. Dhe ne, si gjithmonë, mbetemi dëgjues të heshtur të një romance që s’ka ende refren, por që ndoshta po nis me një kapitull të titulluar: Dea.