Pas një vizite në Danimarkë, një nga vendet më të lumtura në botë, Marina Cooley, profesore në Goizueta Business School në Universitetin Emory dhe ish-punonjëse në kompani si Coca-Cola dhe IBM, vendosi të ndryshojë mënyrën si e konceptonte ekuilibrin punë-jetë.
Ajo vuri re se danezët i japin rëndësi të madhe pasioneve personale jashtë punës (hoby). Frymëzuar nga kjo kulturë, Marina ndërmori një eksperiment njëvjeçar, ku provoi 17 aktivitete për të zbuluar një mënyrë jetese më të ekuilibruar dhe të qëndrueshme. Në vazhdim renditen rezultatet dhe këshillat e saj pas kësaj përvoje:
1. Ndaloi zakonin e “doomscrolling”
Për të gjetur kohë për pasionet, hoqi dorë nga zakonet e përdirimit të pajisjeve dixhitale, që i konsumonin vëmendjen dhe kohën. Aktivitetet manuale dhe fizike e ndihmuan të çlirohej nga ekrani dhe stresi, duke e fokusuar në përfshirje të vetëdijshme.
2. Mësoi të “ruajë” lumturinë për më vonë
Jo çdo aktivitet ishte i përshtatshëm në atë fazë të jetës. Në vend që t’i përjashtonte, Marina i konsideroi si pasione të ardhshme, duke i dhënë vetes leje për të ëndërruar pa presion.
3. Kuptoi se puna e njërit është relaksimi i tjetrit
Aktivitetet që për ndikë janë barrë ose detyrim, për dikë tjetër mund të jenë terapi. Gatimi, për shembull, për të ishte punë, por për të tjerët ishte një burim qetësie. Çdo gjë që të sjell kënaqësi mund të jetë pasion.
4. Rishkroi përkufizimin e “kujdesit për veten”
Në vend të rutinave estetike, Marina zbuloi se pasionet që stimulojnë trurin, krijimtarinë dhe trupin i sjellin qetësi të vërtetë. Për të, ato u konkretizuan në Mahjong, punime me dorë dhe tenis.
5. U ndje më pak e vetmuar
Pasionet i sollën njohje të reja. Qoftë në fusha sporti apo aktivitete krijuese, ajo gjeti mbështetje dhe përkatësi që i mungonin më parë.
6. Nuk kishte më frikë nga bisedat e vogla
Pasionet u bënë mënyrë për të njohur të tjerët më thellë. Njerëzit ndanin histori autentike dhe lidhjet sociale u bënë më të sinqerta.
Studentët e saj shpesh thonë se do të merren me pasione kur të gjejnë kohë. Por Marina mësoi se ekuilibri ndërtohet përmes këtyre aktiviteteve dhe pasioneve. Sot, edhe pse eksperimenti ka përfunduar, pasionet mbeten pjesë e përditshme e jetës së saj dhe të familjes.
“Kam shumë pasione,” i tha një natë djali i saj dhe ajo e kuptoi se kishte krijuar një model të shëndetshëm jetese.
/ CNBC/ përktheu Shqip.al