Alkida Llakaj, vajza e aktorit të njohur të humorit Agron Llakaj, ishte e ftuar për herë të parë në një dalje televizive në emisionin Top Story, ku foli për një prej plagëve më të mëdha të jetës së saj dhe familjes: humbjen e nënës.
Në një rrëfim të ngrohtë dhe emocional, Alkida ndau për publikun sfidën që ka përjetuar familja e saj që prej momentit që mësuan diagnozën e nënës, tre vite më parë. “Ka qenë mesi i korrikut kur morëm një diagnozë fatale për mamin. Që prej asaj dite, jemi në një proces pikëllimi të thellë, si të jesh brenda një humnere. Kemi humbur boshtin e familjes,” u shpreh ajo.
Alkida tregoi gjithashtu se për të, prania e nënës është ende kudo në kujtime, në telefonin e saj, dhe në zemër. “E kam të pamundur të ndaj babin nga mami. Janë gjithmonë bashkë për mua,” tha ajo me një buzëqeshje të përmbajtur.
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte përkushtimi i përditshëm i Agron Llakajt ndaj kujtimit të bashkëshortes së ndjerë. “Prej ditës që mami është larguar nga jeta, babi e viziton çdo ditë. Kur nuk është në Tiranë, më thotë ‘Alkida, shko tek mami’. Edhe pa ma thënë, unë e bëj,” rrëfeu ajo.
Postimet publike të aktorit në rrjete sociale, shpesh të mbushura me dashuri e mall për bashkëshorten, nuk janë sipas saj për të tërhequr vëmendje. “Janë përtej çdo hiperbole. Kam njohur një dimension të jashtëzakonshëm human të babit tim,” tha Alkida me krenari.