Në një botë ku gjithçka shpesh filtrohet për estetikë, Jonida Vokshi ka zgjedhur të ndajë një copëz të papërpunuar të shpirtit të saj. Moderatorja dhe aktorja, e rezervuar për jetën personale, ka ndarë me ndjekësit e saj një nga ndjesitë më të thella e më të vërteta: humbjen e të atit.

E pyetur nga një ndjekëse në Instagram se si e ka përballuar këtë humbje, Jonida është treguar e sinqertë dhe prekëse. “Ka momente që e ndjej që ka ndodhur vërtet, dhe ato janë momentet më të vështira,” shkruan ajo, duke shoqëruar fjalët me një foto të ëmbël pranë babait.

Një ndjesi që nuk shërohet me kohën, por që mëson të bashkëjetojë me ne. “Vazhdon të jetojë me të... është procesi më i vështirë jetësor,” shton ajo, duke pranuar se ende nuk është pajtuar plotësisht me realitetin.

Por nga dhimbja, Jonida ka marrë një forcë të heshtur. “Dhemb, por të jep forcë të luftosh që ai të jetë krenar për ty, prej nga kudo që të sheh e të ruan.”

Fjalë të thjeshta, por që mbajnë peshën e një dashurie të jashtëzakonshme.