Sa herë duhet t’i lani flokët? Çdo ditë? Një herë po, një herë jo? Dy herë në javë? Apo vetëm një herë në javë? Kjo pyetje e përjetshme vazhdon të krijojë diskutime, konfuzion dhe shpesh, polemika sidomos në epokën e rrjeteve sociale ku çdo opinion kthehet në një trend.

Kujdesi për flokët është një trend në rritje të pandalshëm, me gjithnjë e më shumë konsumatorë që i kushtojnë rëndësi mirëqenies së lëkurës së kokës dhe gjendjes së flokëve të tyre. Por, pavarësisht kësaj rritjeje të ndërgjegjësimit, disa mite vazhdojnë të mbijetojnë, veçanërisht ai që thotë se larja e shpeshtë dëmton flokët.

Në të vërtetë, sipas ekspertes së bukurisë Naila Battel, nuk ka një rregull universal për të gjithë. Gjithçka varet nga tipi i skalpit, struktura e flokëve dhe stili i jetesës.

“Nëse skalpi është i yndyrshëm, ndoshta është e nevojshme të lahen çdo dy ditë. Nëse është i thatë, dy herë në javë mund të jetë e mjaftueshme. Në kushte ‘normale’, çdo 2-3 ditë është një frekuencë e mirë,” shpjegon ajo. “Edhe faktorët e jashtëm kanë rëndësi: ata që bëjnë aktivitet fizik rregullisht apo jetojnë në qytete me ndotje të lartë mund të kenë nevojë për më shumë larje.”
A është e dëmshme larja e shpeshtë?
Sipas Battel, jo – përkundrazi. “Një skalp i pastër është gjithmonë më i mirë se ai që mban për ditë me radhë sebum, papastërti dhe ndotje. Sekreti është përdorimi i një shampoje të butë dhe të përshtatur për tipin e flokëve.”

Si të zgjidhni shampon e duhur?
Gjithçka nis nga një analizë e skalpit:

Flokë me yndyrë? Zgjidhni formula që rregullojnë prodhimin e sebumit.
Flokë të thatë ose të trajtuar kimikisht? Zgjidhni shampo hidratuese dhe ushqyese.
Në çdo rast, preferoni produkte me pH natyral, pa sulfate e parabene, të cilat mund të jenë agresive në përdorim afatgjatë. Dhe mos harroni të lexoni INCI-n (listën e përbërësve): shmangni silikonët, derivatet e naftës dhe, mbi të gjitha, parabenet – që mund të ndikojnë në balancat hormonale.

Po balsami? A duhet përdorur gjithmonë?
“Po, është një hap thelbësor pas shampos. Balsami zbut, shpërbën nyjet dhe mbron fibrën e flokëve. Për një trajtim më të thellë, mund të alternohet me një conditioner më ushqyes apo maska hidratuese. Të dyja janë pjesë thelbësore e një rutine bukurie të plotë për flokët.”

A është shampo e thatë zgjidhje për flokët që yndyrosen shpejt?
“Shampo e thatë është një ndihmë e madhe kur nuk kemi kohë të lajmë flokët. Ai përmban pluhura që thithin yndyrën e tepërt dhe japin një ndjesi freskie. Por nuk mund të zëvendësojë larjen me ujë dhe duhet përdorur me masë.”