E ardhmja e Armando Brojës te Chelsea duket gjithnjë e më e paqartë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është tashmë në listën e shitjeve të klubit londinez, ndërsa interesimi për të vjen këtë herë nga Bundesliga gjermane.

Dy prej klubeve që kanë shfaqur interes konkret janë Lajpcig dhe Shtutgarti. Mediat britanike dhe gjermane raportojnë se të dy klubet kanë kontaktuar Çelsin për të marrë më shumë informacion mbi situatën e 23-vjeçarit, duke parë në të një mundësi të vlefshme për repartin ofensiv.

Në rastin e Lajpcigut, drejtuesit po studiojnë pasardhësit e mundshëm për lojtarët kyç si Benjamin Sesko dhe Xavi Simons, të cilët pritet të largohen gjatë verës. Nga ana tjetër, Shtutgarti është në pritje të një shitjeje të mundshme të sulmuesit Nikolas Völtelmeid, dhe Broja është një nga opsionet në listë për ta zëvendësuar atë.

Karriera e Brojës në Premier League ka qenë e penguar nga dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë. Pas huazimeve te Southampton, Fulham dhe së fundmi Everton, ku nuk arriti të gjejë formën e duhur, këtë herë Çelsi nuk po kërkon një tjetër huazim, por një shitje të plotë të kartonit të lojtarit.

Megjithëse ende i ri në moshë dhe me potencial të padiskutueshëm, Broja ka nevojë për një ambient ku mund të ketë minuta të rregullta dhe besim të plotë. Bundesliga, me stilin e saj dinamik dhe fokusin në zhvillimin e talenteve, mund të jetë pikërisht vendi i duhur për një rikthim të fuqishëm të shqiptarit në skenën europiane.