Një kapitull i ri në marrëdhënien e tensionuar mes Princit Harry dhe Mbretit Charles mund të jetë duke u shkruar. Sipas Mail on Sunday, drejtori i komunikimit të mbretit, Tobyn Andreae, është takuar së fundmi në Londër me Meredith Maines, përgjegjëse për shtypin e Harry-t në Shtetet e Bashkuara. Maines, e cila kishte udhëtuar nga Los Angeles për të vizituar stafin britanik të Dukës së Sussex-it, u shoqërua në takim edhe nga zëdhënësi i Harry-t në Mbretëri, Liam Maguire. Të dyja palët shpresojnë se ky takim është një hap i parë drejt një pajtimi të mundshëm.
Burime pranë Harry-t thanë për Vanity Fair se ishte vetë princi që kërkoi këtë takim, ndërsa ai ndodhej në Londër. Takimi, i përshkruar si një “aperitiv në ambient të hapur”, ndodhi pranë Clarence House, rezidenca zyrtare e Mbretit Charles në Londër, dhe është kapur nga kamerat e fotoreporterëve.
Edhe pse nuk janë bërë të ditura detajet e diskutimit, njerëz të afërt me Harry-n theksojnë se ai është i vendosur të ndërtojë ura të reja komunikimi me babain. Një dëshirë që ai e ka shprehur publikisht më herët, duke shtuar se shpreson që Charles të marrë pjesë në Invictus Games 2027, që do të zhvillohen në Birmingham. Edhe pse u zhgënjye kur familja mbretërore mungoi në festimet për 10-vjetorin e këtyre lojërave në maj 2024, Harry thuhet se i ka ftuar anëtarët e familjes në ceremoninë e ardhshme të hapjes.
“Harry shpreson që gjithçka të rregullohet,” tha një burim për Vanity Fair. “Ai dëshiron vërtet një marrëdhënie të mirë me të atin. Është i lodhur nga fakti që historia e përçarjes familjare mbizotëron gjithmonë kur përmendet emri i tij. Ai do një narrativë të re.” I njëjti burim shton se megjithëse Lojërat Invictus janë ende dy vjet larg, koha është e nevojshme për të shëruar plagët dhe për të ndërtuar një komunikim të qëndrueshëm.
Në një intervistë të vitit 2025 për BBC, Harry deklaroi se babai nuk i përgjigjej më thirrjeve të tij. Burime pranë Charles-it konfirmojnë se edhe vetë mbreti dëshiron një marrëdhënie më të mirë me djalin e tij të vogël. “Mbreti është thellësisht i pikëlluar për gjithçka që ka ndodhur. Ai do që gjërat të rregullohen, sepse pavarësisht gjithçkaje, është biri i tij dhe e do,” ka thënë një mik i afërt i Charles-it. “Dera ka qenë gjithmonë e hapur për një pajtim, por shumë varet nga Harry dhe nga aftësia e Charles-it për t’i besuar atij.”
Megjithatë, fakti që lajmi për këtë takim "sekret" doli në media ka shqetësuar Pallatin Mbretëror. Ekipi i komunikimit i Harry-t mohon të ketë shpërndarë detaje për takimin, por burime nga ana e mbretit theksojnë se pajtimi mund të realizohet vetëm nëse ruhet diskrecioni dhe privatësia e bisedave. Kujtojmë që në autobiografinë e tij Spare, Harry tregoi me detaje biseda private me të atin dhe vëllain, princin William, gjë që shkaktoi përçarje të mëtejshme.
Një tjetër koment i Harry-t në BBC, ku ai shprehej se “nuk e di sa kohë i ka mbetur për të jetuar babait”, raportohet se ka tronditur mbretin dhe ka zemëruar këshilltarët e tij më të ngushtë. Ai shtoi gjithashtu se “do të donte shumë një pajtim”, por që Charles “nuk flet me mua për arsye sigurie”, duke iu referuar betejës ligjore të Harry-t në Gjykatën e Lartë për të rikthyer të drejtën për mbrojtje policore në Britani.
Për momentin, Mbreti Charles ka pasur shumë pak kontakte me nipërit e tij, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet. Por burimet thonë se ai dëshiron t’i shohë më shpesh dhe të jetë pjesë e jetës së familjes së tij që jeton në Kaliforni.
Një pajtim është ende në horizont, por rrethuar nga shumë “nëse”. Megjithatë, ka një gjë të qartë: si Harry ashtu edhe Charles duket se janë të lodhur nga konflikti dhe janë të gatshëm për një fillim të ri.