Edhe në Itali ndodhin përplasje mes artistësh, por... shikoni çfarë elegance!
Një keqkuptim për autorësinë e një kënge u kthye në një dialog publik me klas, ku artistët treguan se mund të mbrosh krijimtarinë tënde pa sharje, pa thumbime, pa drama vetëm me respekt dhe një marrëveshje artistike me ton të lartë, që e nderon edhe më shumë muzikën italiane.
Publikimi i këngës “La mia storia tra le dita” nga Laura Pausini ka krijuar zhurmë në rrjet jo vetëm për pritshmërinë e lartë të fansave rreth projektit të saj të ri muzikor, por edhe për një keqkuptim të papritur me Gianluca Grignani, autorin e këngës origjinale, i cili ka reaguar publikisht në rrjetet sociale.
Gjithçka nisi kur Laura Pausini njoftoi daljen e këngës së saj të re, duke publikuar thjesht titullin, pa sqaruar se bëhej fjalë për një cover të një prej këngëve më të njohura të Grignanit. Postimi i saj në rrjetet sociale përmendte vetëm titullin dhe datën e publikimit, 12 shtator, pa asnjë referencë për autorin origjinal.
Ky detaj ka nxitur reagimin e Grignanit, i cili përmes një Story në Instagram ndau një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Përshëndetje Laura, e di që të dua shumë. Besoj se ta kam thënë në backstage të një koncerti tënd në Forum, apo në raste të tjera. Me gjithë respektin dhe mirësinë që ruaj për ty si grua dhe si artiste e madhe, më duket e domosdoshme të kujtoj se kënga jote e re (për të cilën të uroj gjithë të mirat) është një cover i një kënge që – nëse nuk gaboj – e kam shkruar dhe interpretuar unë: La mia storia tra le dita dhe Mi historia entre tus dedos… Doja vetëm ta kujtoja. Gjithsesi, uroj shumë fat për këngën time… dhe mbi të gjitha, ty. Të përqafoj.”
Në një tjetër postim, ai shton:
“Teksti që do të shihni në Storyn tjetër është komenti që bëra nën postimin e fundit të mikeshës sime Laura Pausini, ku ajo njofton daljen e ‘këngës së saj të re’. Fatkeqësisht, ai koment m’u fshi disa herë.”
View this post on Instagram
Pak orë më vonë, Laura Pausini reagoi vetë për të sqaruar situatën. Edhe ajo zgjodhi Instagramin, por nuk komentoi fare mbi pretendimin për fshirjen e komenteve.
Në përgjigjen e saj, Laura shkruan:
“Edhe unë të dua shumë Gianluca, aq sa të kam kënduar gjithmonë këngët, dhe e di që që në shkurt ke ditur që do të të këndoja sërish këtë vit. E di sa shumë e dua muzikën tënde dhe me njoftimin që bëra sot, shpresoj të të kem bërë të lumtur. Kjo këngë e jotja jo vetëm që është e vetmja në botë që ekziston në tre gjuhë me këta tituj, por nuk besoj se ndonjë tjetër (sigurisht jo unë) do të guxonte ndonjëherë të shkruante një titull kaq unik si i yti.”
Ajo shton gjithashtu:
“E di që kur fillojmë një projekt të ri, secili prej nesh ka një histori për ta treguar. E imja fillon me njoftimin e sotëm dhe, meqë kënga del në shtator, kam përgatitur një rrëfim që shpresoj të të pëlqejë. Të gjithë e dinë që La mia storia tra le dita është e jotja, dhe mua më duket se postimi im është një mënyrë shumë elegante për të nisur të flas për këtë këngë të mrekullueshme. Shpresoj që kur të dalë versioni im, të të pëlqejë po aq sa më pëlqen mua. Një puthje e madhe.”
View this post on Instagram
Pavarësisht tensionit të momentit, duket se mes dy artistëve ruhet një respekt i ndërsjellë. Por kjo tregon edhe një herë sa i ndjeshëm mbetet raporti mes krijuesve dhe artistëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për vepra që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës italiane.