Një koncert i Coldplay në Boston u kthye në skenën e një skandali që po bën xhiron e rrjeteve sociale: CEO i kompanisë Astronomer, Andy Byron, u kap në Kiss Cam në një moment të afërt me Kristin Cabot, drejtoreshën e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, pavarësisht se Byron është i martuar.
Pas zhurmës mediatike dhe reagimeve të ashpra online, ai publikoi një deklaratë ku shprehej:
“Dua ta pranoj publikisht këtë moment që po qarkullon online dhe zhgënjimin që ka shkaktuar. Ajo që duhej të ishte një mbrëmje muzike dhe gëzimi, u kthye në një gabim personal që u bë publik në një skenë shumë të madhe. Dua të kërkoj ndjesë sinqerisht bashkëshortes sime, familjes sime dhe ekipit në Astronomer. Ju meritoni më mirë nga unë, si partner, si prind dhe si drejtues.”
Më tej ai bëri të ditur se do të tërhiqet përkohësisht për të reflektuar mbi situatën dhe për të marrë vendimet e duhura në jetën personale dhe profesionale.
“Po marr kohën e duhur për të reflektuar, për të marrë përgjegjësitë dhe për të vendosur për hapat e ardhshëm,” u shpreh ai.
Por përveç ndjesës, CEO nuk nguroi të kritikojë edhe artistët dhe mënyrën se si një moment privat u bë spektakël publik pa pëlqimin e tij:
“E konsideroj shumë shqetësues faktin që një moment privat u bë publik pa pëlqimin tim. Kam respekt për artistët, por shpresoj të reflektojmë të gjithë mbi ndikimin që ka kur jeta e dikujt tjetër kthehet në spektakël.”