Gazetari investigativ Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi një fenomen të pazakontë dhe shqetësues që po ndodh në burgjet shqiptare: vizitat e “veçanta” që disa figura të njohura të showbizit dhe medias zhvillojnë me të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Hoxha deklaroi se në të kaluarën, hyrja në ambiente të tilla të izoluara justifikohej me rolin e “psikologeve” ose “trajnueseve”, të angazhuara në programe riedukimi për të burgosurit. Megjithatë, pas një sërë rastesh problematike, kjo praktikë ka kaluar në një fazë tjetër, ku duket se lidhjet shkojnë përtej aktivitetit profesional.

“Hynin edhe si psikologe, si trajnuese, sepse kanë nevojë për disa aktivitete, projekte për riedukim dhe riintegrim. Por pastaj u zbulua se disa prej tyre krijuan lidhje personale me të dënuar. Para 20 vitesh kemi pasur një rast kur një punonjëse burgjesh krijoi kontakt me një të burgosur”, – deklaroi Hoxha.
Sipas tij, tashmë është vërejtur një rritje e vizitave nga vajza të reja që vijnë nga fusha të ndryshme publike si muzika, arti, televizioni apo rrjetet sociale. Ai përmendi edhe ndërhyrjen e figurave të caktuara që, përmes njohjeve apo ndikimit, mundësojnë këto “takime speciale”.

“Kryesisht janë moshat e reja, nga showbizi, arti, apo edhe media. Nuk futet kush të dojë atje. Është dikush që u jep miratimin. Rasti që ndikoi ishte ai i takimeve speciale. Sot nuk janë më 24 orë si më parë”, – theksoi gazetari.