Më 15 korrik, Princi Harry mbërriti në Angola, por ajo që ra në sy ishte mungesa e bashkëshortes së tij, Meghan Markle. Sipas burimeve mbretërore, kjo mungesë ka lidhje me shqetësime të forta për sigurinë.
Udhëtimi i Princit Harry ka për qëllim të nxisë mbështetjen dhe donacionet nga qeveria e Angolës për organizatën The HALO Trust, që merret me pastrimin e minave dhe eksplozivëve të mbetur pas konflikteve ushtarake. Është një kauzë që u mbështet për herë të parë nga Princesha Diana në vitin 1997, kur ajo vizitoi vetë Angolën dhe eci nëpër një fushë aktive me mina, për të tërhequr vëmendjen botërore.
Princi Harry ka ndjekur hapat e nënës së tij, duke rindërtuar të njëjtën skenë në udhëtime të mëparshme. “Është një përgjegjësi që e marr shumë seriozisht,” është shprehur ai për trashëgiminë e saj.
Edhe pse çifti shpesh mbështet kauza humanitare së bashku, këtë herë Meghan nuk ishte e pranishme, për shkak të rreziqeve që paraqiste terreni.
Një burim për Daily Mail tha:
“Duka nuk e lejon gruan e tij të shkojë në Angli për shkak të mungesës së sigurisë, prandaj nuk kishte asnjë shans që ta linte të shkonte në Angola për të ecur mbi mina.”
Kjo lidhet me deklaratat e mëparshme të Princit Harry, i cili kishte pohuar se “nuk e sheh të mundur të sjellë bashkëshorten dhe fëmijët në Angli”, pasi atyre iu hoqën masat e sigurisë të garantuara nga familja mbretërore.
Megjithatë, Harry vazhdon të qëndrojë i përkushtuar ndaj misioneve të nënës së tij, ndërkohë që mbron pa kompromis sigurinë dhe mirëqenien e familjes së tij, për të cilën ai dhe Meghan kanë luftuar gjatë.