Pesë vjet pas vdekjes së Lady Elizabeth Anson, kushërira e parë dhe një nga më të afërtat të Mbretëreshës Elizabeta II, biografja e njohur mbretërore Sally Bedell Smith ka hedhur dritë mbi disa rrëfime të pazbuluara më parë që lidhen me marrëdhënien e monarkes me Princin Harry dhe Meghan Markle.
Në një seri tregimesh të publikuara në “Royals Extra”, newsletter-i i saj në Substack, Bedell Smith sjell për herë të parë dëshmitë e Lady Elizabeth, të cilat zbulojnë një anë të ndjeshme dhe shpeshherë të lënduar të Mbretëreshës në vitet e fundit të jetës, për shkak të distancimit të nipit të saj të dashur dhe sjelljes së çiftit Sussex.
Sipas rrëfimeve të Lady Elizabeth, Mbretëresha ishte thellësisht e tronditur nga mënyra se si Harry i ishte drejtuar asaj në një takim para dasmës mbretërore të vitit 2018. “Ai ishte i pasjellshëm për dhjetë minuta të tëra,” kujtonte kushërira. Sipas saj, mbretëresha nuk ishte as e sigurt nëse i pëlqente Meghan, e as nuk mund ta kuptonte se si Harry, dikur i përkushtuar ndaj ushtrisë dhe detyrës, mund të ndryshonte kaq rrënjësisht.
Një nga momentet më domethënëse sipas Lady Elizabeth lidhej me Frogmore Cottage, shtëpia që Mbretëresha u kishte dhuruar Harry-t dhe Meghan-it për martesën e tyre. “Ishte një dhuratë e madhe. Për të shkuar në kopshtin e saj privat, mbretëresha duhej të kalonte pranë cottage-it të tyre. Ajo hoqi dorë nga privatësia e saj për këtë gjest,” tregoi Lady E. “Shpresoj ta respektojnë”, kishte thënë Mbretëresha, duke mos fshehur shqetësimin për mosmirënjohjen që ndjente.
Rrëfimet hedhin dritë edhe mbi tensionet gjatë organizimit të dasmës. Mbretëresha ishte befasuar kur Meghan, e divorcuar, vendosi të martohej me vello dhe fustan të bardhë një zgjedhje që monarkja nuk e miratonte. Po ashtu, Harry kishte anashkaluar protokollin duke kontaktuar drejtpërdrejt me kryepeshkopin Justin Welby, pa kaluar përmes dekani të Windsor, gjë që e kishte shqetësuar shumë Elizabetën II.
Lady Elizabeth, e cila kishte organizuar evente madhështore për familjen mbretërore, përfshirë 90-vjetorin e Mbretëreshës dhe martesën e William dhe Kate, u përjashtua nga përgatitjet e dasmës së Harry-t me Meghan. “Ishte e qartë që ata donin ta bënin në mënyrën e tyre, edhe nëse kjo përfshinte shkëputjen nga tradita,” tha ajo.
Kur Harry dhe Meghan vendosën të largoheshin nga Anglia në vitin 2020, Mbretëresha mbeti thellësisht e lënduar. Jo vetëm sepse ata lanë detyrat mbretërore, por edhe sepse nuk morën me vete djalin e tyre Archie gjatë vizitës së fundit. “Ishte shumë e zhgënjyer. Donte ta shihte. Më tha: ‘Ka flokë të kuq’,” kujtonte Lady Elizabeth. Për Mbretëreshën, të shihte stërnipin përmes Zoom-it ishte e pakuptimtë.
Në fund, opinioni i Lady Elizabeth për Meghan ishte i prerë: “Shpresojmë që ta dojë Harry-n, por nuk jemi aspak të bindur. Na duket sikur e ka orkestruar gjithë këtë.” Ndërsa për Harry-n, shtoi me keqardhje: “Fatkeqi, nuk është as i fortë, as i mençur. Ajo i ka të dyja.”