Kapitullit të Kristjan Asllanit te Interi duket se i ka ardhur fundi. Konfirmimi nuk vjen nga zëra të merkatos, por nga vetë drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio. Mesfushori shqiptar, pas tre sezonesh në "San Siro", është drejt një aventure të re.
“Nuk ka një klub që është më afër Asllanit apo Espositos. Ka pasur disa kontakte dhe biseda, por asgjë konkrete,” u shpreh fillimisht Ausilio, duke lënë të kuptohet se procesi i largimit ka nisur, edhe pse destinacioni mbetet ende i hapur.
Fjalët e mëtejshme të tij nuk lanë vend për dyshime:
“Mendojmë se pas tre vitesh, është më se e drejtë që ai të gjejë një projekt ku të luajë më rregullisht. Le të mos harrojmë, Kristjani ka mbi 100 paraqitje me fanellën zikaltër dhe është pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare, por sot idealja për të është jashtë Interit.”
Një mesazh i qartë: Interi nuk e sheh më Asllanin në projektin sportiv të sezonit të ri. Mesfushori 22-vjeçar, që erdhi si një premtim i madh nga Empoli, largohet me një bagazh të rëndësishëm eksperiencash dhe me emrin e tij të ngulitur në memorien e tifozëve për profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë.
Tashmë gjithçka varet nga lojtari dhe përfaqësuesit e tij: cila do të jetë skuadra që do t’i ofrojë jo vetëm minuta, por edhe besim për të bërë hapin e madh në karrierë?