Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Rama shkruan në rrjetet sociale se sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna, sipas tij, nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera.
Ai ka shtuar se po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Gjithashtu Rama thotë se për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit.
Ai thekson se nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.
POSTIMI:
Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenoment dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo…
Në ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.