Në një intervistë të rrallë, Ellen DeGeneres ka konfirmuar se ajo dhe bashkëshortja e saj Portia de Rossi janë zhvendosur përfundimisht në Britani të Madhe që nga nëntori i vitit 2024 dhe arsyeja kryesore, sipas saj, është rizgjedhja e Donald Trump si president i SHBA.
Në një bisedë me prezantuesin britanik Richard Bacon gjatë një eventi në Cheltenham, DeGeneres tha:
“Arritëm këtu një ditë para zgjedhjeve, dhe të nesërmen u zgjuam me shumë mesazhe nga miqtë me emoji që qanin. E kuptova menjëherë që ai kishte fituar. Aty thamë: Po qëndrojmë këtu.”
Çifti tani jeton në një fermë të bukur në zonën piktoreske të Cotswolds, ku po shijojnë një jetë rurale larg zhurmës së Amerikës, të rrethuar nga kuajt, pulat dhe qetësia e natyrës.
“Është absolutisht mahnitëse. Nuk jemi mësuar me një bukuri të tillë. Fshatrat, qytetet, arkitektura… çdo gjë është aq e thjeshtë dhe e këndshme,” tha Ellen, duke shtuar se “këtu gjithçka është më e pastër, kafshët trajtohen më mirë dhe njerëzit janë më të sjellshëm.”
Ndërsa bota e kujton Ellen si një nga emrat më të njohur të televizionit amerikan, ajo po mendon një rikthim në showbiz por jo në formatin e dikurshëm të “The Ellen DeGeneres Show”.
“Nuk e di ende se çfarë do të jetë ajo gjë, por dua të argëtohem, të bëj diçka. Më pëlqejnë pulat e mia… por pak po mërzitem,” u shpreh ajo me humor.