Një episod i papritur gjatë koncertit të Coldplay ka shkaktuar bujë në rrjet dhe ka sjellë pasoja të rënda për jetën personale dhe profesionale të një CEO-je të njohur.

Chris Martin, vokalisti i grupit, gjatë performancës në Gillette Stadium në Massachusetts, përdori “kiss cam” për të fokusuar çiftet në audiencë, por pa e ditur, vuri në qendër të vëmendjes Andy Byron, CEO i kompanisë së teknologjisë Astronomer, dhe Kristin Cabot, drejtoresha e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani.

Kur kamera i fokusoi në ekranin gjigand, çifti fillimisht u duk shumë i afërt, por në momentin që u shfaqën në ekran, reaguan në mënyrë të pazakontë: Byron u ul në tokë ndërsa Cabot mbuloi fytyrën dhe iku, gjë që ngriti menjëherë dyshime në sy të publikut dhe vetë Martinit, i cili komentoi me humor:

“Ose janë shumë të turpshëm, ose po bëjnë një tradhëti.”
Pas ngjarjes, videoja u bë virale, dhe interneti nuk vonoi të zbulonte identitetin e personave. U mësua se Byron ishte i martuar me Megan Kerrigan Byron, e cila menjëherë ndryshoi mbiemrin në Facebook dhe më pas e fshiu llogarinë, ndërsa Cabot është e divorcuar.

Pas presionit mediatik dhe një hetimi të brendshëm nga kompania Astronomer, Andy Byron dha dorëheqjen nga posti i tij si CEO.

Ironikisht, në një deklaratë të mëparshme për shtyp, Byron e kishte përshkruar Cabot si një lidere të shkëlqyer në menaxhimin e talenteve dhe si një pjesë kyçe për rritjen e kompanisë. Vetë Cabot, në të njëjtën deklaratë, shprehej e entuziazmuar për bashkëpunimin me të.

Pas incidentit, Chris Martin, ka bërë disa batuta për situatën.

"Do të donim t'ju përshëndetnim disa prej jush në turmë dhe t'ju nxirrnim disa prej jush në ekranin e madh", tha muzikanti të shtunën gjatë koncertit të grupit në stadiumin Camp Randall në Madison, Wis., sipas videos së shpërndarë në internet.

"Mënyra se si do ta bëjmë këtë është duke përdorur kamerat tona dhe do t'ju nxirrim disa prej jush në ekranin e madh. Ju lutem, nëse nuk e keni bërë grimin, bëjeni tani."