Justin Bieber ka lançuar albumin e tij të ri më 11 korrik me titull “Swag”, duke pohuar se ka rikthyer vetëbesimin dhe stilin që e karakterizon, por burime pranë këngëtarit thonë se pas fasadës fshihet një realitet më kompleks.

Në fotot promovuese, ai shfaqet me bashkëshorten Hailey Bieber dhe djalin e tyre 11-muajsh Jack Blues, duke dhënë idenë e një familjeje të lumtur dhe plot vetëbesim. Megjithatë, burimet i përshkruajnë marrëdhëniet dhe gjendjen e tij të brendshme si të paqëndrueshme  duke përmendur grindjet me paparacët, sjelljet e papritura në publik, tensionet me Hailey-n në rrjetet sociale, si dhe frikën për një rikthim të mundshëm në përdorimin e lëndëve narkotike.

“Ai nuk e përballon mirë famën,” tha një burim për Page Six. “Imagjino të jesh 14 vjeç dhe i famshëm ose të adhurojnë, ose të urrejnë, pa asnjë arsye. Kjo shkatërron shumë njerëz.”
Albumi i ri shënon një kthim pas katër vitesh që nga “Justice”, ndërkohë që në vitin 2022 anuloi turneun botëror për shkak të problemeve shëndetësore.

Në një nga sketet e albumit, titulluar “Therapy Session”, Justin flet hapur për sfidat me shëndetin mendor dhe perceptimin publik:

“Gjithmonë më pyesin a jam mirë, dhe kjo më rëndon… më bën të ndihem sikur vetëm unë kam probleme e të tjerët janë perfekt.”
Burimet thonë se postimet e tij të fundit në rrjete sociale janë shenja të qarta të një krize të brendshme: “Ka luhatje të forta humori, është një personalitet ekstrem.”

Në një këngë tjetër të albumit, “Walking Away”, ai prek martesën me Hailey-n:

Ditët kalojnë shpejt, nuk dua t’i kaloj me ty / Pse më hedh gurë pas shpine kur e di që jam i pambrojtur?”
Përkundër faktit që çifti është përpjekur të mbrojë privatësinë e djalit të tyre, përfshirja e Jack Blues në kopertinën e albumit ngjalli kritika. “Thonë që duan privatësi, por pastaj e vendosin fëmijën në kopertinë,” tha një tjetër burim.

Ndërkohë, ndarja me menaxherin Scooter Braun në vitin 2023 shënoi një nga ndryshimet më të mëdha në karrierën e Justin. Braun, megjithëse tani i tërhequr nga menaxhimi, e vlerësoi albumin si “më autentik se kurrë”.

Por marrëdhënia e tyre u përkeqësua kur doli se Bieber i detyrohej 31 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje të mëparshme për anulimin e turneut “Justice”. Më 10 korrik, ata arritën një marrëveshje shlyerjeje me kompaninë e Braun, Hybe, raportoi TMZ.

Për fat të mirë, financat e familjes janë në formë të mirë falë suksesit të markës së bukurisë Rhode të Hailey-t, e cila së fundmi nënshkroi një marrëveshje 1 miliardë dollarëshe me e.l.f. Cosmetics, duke përfshirë 800 milionë cash.

Megjithatë, Hailey e ka mohuar se ka ndihmuar Justin në shlyerjen e borxhit, duke deklaruar se Rhode është krejtësisht e ndarë nga bizneset e tij.

Pas publikimit të albumit, çifti është parë në Europë në Spanjë, Zvicër dhe Itali për promovimin ndërkombëtar të Rhode. Por mbetet e paqartë nëse Bieber do të nisë një turne promovues për albumin.