Në “25 vite Kënga Magjike”, Ronela Hajati zbuloi se pas një performance të komentuar gjerësisht, nuk qëndron vetëm guximi artistik, por edhe një sërë sfidash personale. Ajo kujton se në atë dalje skenike “gjithçka ishte planifikuar në detaj”, nga koreografia deri te rryma muzikore që sapo kishte nisur të dëgjohej në botë.

Megjithatë, sfidat nuk mbaruan në skenë: flokët që i shkeleshin nga balerinët, reagimet e publikut, e deri te reagimi i nënës së saj që për gjashtë muaj nuk i foli fare.

“Do më kryqëzonin, e dija, por le të mbahej,” tha Ronela, duke pranuar se ajo performancë jo vetëm i solli bujë, por edhe një rritje në vlerën e koncerteve. “I ka qejf publiku këto gjëra”, shton ajo me ironi të hollë dhe bindje në stilin e saj të pakompromis.

Ronela Hajati: Juve ju duket kollaj, por unë e di se çfarë kam hequr atë ditë, se kisha flokët e gjatë dhe më shkelnin flokët balerinët. Dëgjoja vetëm “uaaa” nga skena, thashë: e dreqosa, por do bëj lekë. Mund të them që ai ka qenë viti i parë që unë rrita çmimin e koncertit, kështu që njerëzit i kanë qejf këto gjëra. Unë mbaj mend që ajo këngë, kur është realizuar, përfaqësonte të gjitha rrymat muzikore dhe e gjithë gjëja, edhe nëpër botë, sapo kishte filluar. Mbaj mend që pak muaj para se të realizohej “Kënga Magjike”, dëgjova një këngë në radio dhe thashë: çfarë është ky tingull që unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë, as në festivale dhe as në klube. Dhe fillova të gërmoja për të mësuar më shumë për këtë muzikë të kësaj lloj rryme. Mbaj mend që kam folur me Elgit Dodën atëherë dhe i thashë: dua të bëj një gjë që nuk e ka bërë asnjë njeri, e di që do më kryqëzojnë, por le të mbahet. E gjithë gjëja ka qenë me plane dhe e menduar. Mbaj mend që për këtë skenën kam folur me koreografët e këngës dhe më thanë: do ta bësh? Bëje, po e bën e gjithë bota.

Ardit Gjebrea: Po njerëzit çfarë thoshin?

Ronela Hajati: Duke filluar që nga prindi im, që për nja gjashtë muaj nuk më foli fare me gojë.

Ronela Hajati: Po, tha: “Na more fytyrën, na ule kokën.” Tani është mësuar ajo. Më thotë ndonjëherë, por ç’të të them, ti i ke atje në YouTube, t’i shikojnë të gjithë.

/tvklan.al