Më 22 korrik 2013, Britania e Madhe ishte në ekstazë për ardhjen në jetë të më të shumëpriturit nga "royal baby-t": fëmija i parë i princit William dhe Kate Middleton princi George (emri i plotë: George Alexander Louis). Ai u shfaq disa orë pas lindjes në krahët e prindërve të rinj, përpara maternitetit Lindo Wing të spitalit St. Mary’s në Londër, i pritur me brohoritje si një yll i vërtetë.

Kanë kaluar 12 vite që nga ajo ditë, dhe "baby George", siç është quajtur me përkëdheli nga fansat e familjes mbretërore për aq kohë sa ishte i vogël, ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes ndonëse prindërit janë përpjekur ta mbrojnë dhe t’i dhurojnë një fëmijëri sa më normale, ashtu si edhe motrës së tij Charlotte dhe vëllait të vogël Louis.

Në ditëlindjen e tij të 12-të, princi i vogël shfaqet siç është bërë tashmë traditë në një foto zyrtare të re, të publikuar nga Pallati Kensington me rastin e veçantë. Ai buzëqesh gjë që nuk ndodh shpesh në daljet publike në një ambient informal dhe të çlodhur, me një vështrim të qetë drejtuar objektivit të fotografit Josh Shinner, i cili ka realizuar foton në prill në Norfolk, ku familja shpesh tërhiqet kur angazhimet e lejojnë dhe kur fëmijët janë me pushime. Bashkë me foton është publikuar edhe një video e bukur, ku shfaqet George së bashku me motrën Charlotte (10 vjeç) dhe vëllain Louis (7 vjeç).

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by The Prince and Princess of Wales (@princeandprincessofwales)

Fotografia bën pjesë në të njëjtin set me atë të publikuar për ditëlindjen e princit Louis në prill dhe me dy fotot e 16 qershorit për Ditën e Babait, ku faqet zyrtare të princit dhe princeshës së Uellsit ndanë imazhe të fëmijëve bashkë me babain e tyre William një më formale dhe një tjetër më spontane e plot jetë.

Këto pamje tregojnë një familje të bashkuar dhe më të lumtur se kurrë, që pas periudhës së vështirë me sëmundjen e princeshës Kate, duket se po gjen sërish qetësinë. Tani po shijojnë disa javë pushime para se të kthehen në jetën e zakonshme dhe angazhimet mbretërore.

Princi Louis ka festuar 7-vjetorin e tij me një foto të re ku buzëqesh pa dhëmbë – dhe kjo periudhë përkon me disa ngjarje të rëndësishme për familjen mbretërore: më 29 prill festohet përvjetori i martesës së prindërve të tij, ndërsa më 2 maj është ditëlindja e motrës Charlotte.

Fëmijët mbretërorë ndjekin shkollën Lambrook në Windsor. Për George, viti që fillon në fund të gushtit do të jetë i fundit atje përpara se të kalojë në gjimnaz. Vendimi për shkollën e ardhshme nuk është bërë ende publik, por përflitet se ai mund të ndjekë Eton College, një nga kolegjet më prestigjioze në botë, i njëjti që ka ndjekur dhe babai i tij, William. Gjithsesi, përmendet edhe Marlborough College, ku ka studiuar nëna e tij Kate dhe që i ka mbetur shumë i dashur.

A është marrë tashmë vendimi përfundimtar? Ndoshta po, ndoshta jo por për momentin është koha për të festuar. Për të nesërmen, ka gjithmonë kohë.