Ferragnez tashmë janë vetëm një kujtim i largët. Federico Lucia (Fedez) dhe Chiara Ferragni nuk janë më, zyrtarisht, bashkëshortë. Këtë e konfirmon vendimi i divorcit të përbashkët i lëshuar nga Gjykata e Milanos.

Sipas burimeve, çifti dikur më i ndjekur i rrjeteve sociale ka arritur një marrëveshje për kujdestari të përbashkët të fëmijëve të tyre.

Nuk është parashikuar asnjë pension ushqimor për Leone dhe Vittoria, as për Chiara Ferragni. Ndërkohë, shpenzimet shkollore dhe shëndetësore të fëmijëve do të mbulohen nga Fedez. Gjykata e ka konsideruar marrëveshjen të përshtatshme dhe në përputhje me ligjin.

Historia e dashurisë së çiftit, që nisi në vitin 2016 dhe kulmoi me martesën spektakolare në Siçili më 1 shtator 2018 dhe më pas me lindjen e dy fëmijëve, Leone dhe më pas Viktoria, tashmë i përket të shkuarës. Skandali i Pandoros ishte vetëm pika që e çoi marrëdhënien drejt fundit, duke zbuluar probleme të mbledhura prej kohësh. Tashmë gjithçka ka përfunduar zyrtarisht.

Çifti, sipas avokatëve të tyre, ka treguar maturi dhe mirëkuptim në procesin e ndarjes, duke vepruar në interesin më të lartë të fëmijëve. Avokatja e Chiara Ferragnit ka theksuar se mungesa e pensionit për fëmijët ishte një zgjedhje e vetë influencueses, e cila ka preferuar të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe pa konflikte.

Martesa e Chiara Ferragnit dhe Fedez ishte ndjekur nga miliona ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa hashtag-u #TheFerragnez u kthye më vonë edhe në një docu-reality në Amazon Prime Video. Tashmë ajo histori ka marrë fund, por pa drama publike, pa beteja gjyqësore dhe me respekt të ndërsjellë, një divorc paqësor që mbyll një nga kapitujt më të ndjekur të botës së famshëm italiane.