Artisti i njohur shqiptar, Noizy, ishte planifikuar të mbante një performancë mbrëmjen e së martës në një nga klubet më të njohura të Prishtinës, por koncerti u anulua në minutat e fundit për shkak të një alarmi për mjet shpërthyes.

Sipas raportimeve, një paralajmërim për një bombë në ambientet e klubit bëri që ngjarja të ndërpritej për arsye sigurie. Pas njoftimit, autoritetet ndërhynë menjëherë, duke zhvilluar kontrolle të imtësishme brenda dhe jashtë klubit. Fatmirësisht, pas verifikimeve të plota, rezultoi se bëhej fjalë për alarm të rremë.

Klubi reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet dhe se siguria e publikut mbetet prioriteti kryesor:
"Pas kontrollit të detajuar nga autoritetet kompetente, u konstatua se nuk kishte asnjë rrezik. Koncerti u anulua për arsye sigurie dhe keqardhje për të gjithë ata që kishin ardhur për të ndjekur performancën."