Një model ukrainase, Maria Kovalchuk, ka ndarë për herë të parë për publikun një rrëfim tronditës rreth asaj që e quan “torturë brutale” nga disa të rinj të pasur rusë, gjatë një feste luksoze në një hotel me 5 yje në Dubai.
20-vjeçarja, e cila aktualisht po rikuperohet në Norvegji, tha se pas sulmit mbeti me kurriz të thyer, gjymtyrë të dëmtuara rëndë dhe u fut në gjendje kome. Ajo akuzon autoritetet e Dubait se kanë fshehur provat, manipulimin e dëshmisë së saj dhe përpjekje për ta heshtur.
Ngjarja ndodhi në muajin mars. Maria ndodhej në Dubai për të prodhuar përmbajtje për llogarinë e saj në OnlyFans. Pas një ftesë të bërë nga një 19-vjeçar i takuar në një karaoke, ajo shkoi në një festë private në një hotel luksoz, ku ndodheshin biznesmenë të pasur nga Ukraina dhe Rusia.
Ajo tregon se në fillim gjithçka dukej e padëmshme, por nuk pranoi të konsumonte alkool, gjë që shkaktoi reagime tallëse:
“Më thanë ‘tani je e jona, do bëjmë çfarë të duam me ty’. E mora si shaka, por situata u bë gjithnjë e më e çuditshme.”
Sipas saj, burrat u bënë agresivë, nisën të thyenin shishe dhe mbushën dhomën me xhama të thyer, duke e bërë të pamundur lëvizjen.
Maria pretendon se iu mor pasaporta dhe sendet personale, ndërsa një grua e vetme në grup, sipas saj, e qëlloi me shuplakë dhe u largua me rrobat e saj.
Ajo thotë se pas ngacmimeve seksuale që refuzoi, situata doli nga kontrolli dhe në përpjekje për të shpëtuar, vrapoi dhe u fsheh në një kantier ndërtimi. Më pas, ajo beson se është rrahur brutalisht ose është hedhur nga një lartësi, duke pësuar dëmtime të tmerrshme.
Një kalimtar e gjeti më pas të zhveshur, me një rrobë banje hoteli dhe në gjendje kritike në rrugë. U dërgua me urgjencë në spital dhe ra në koma për disa ditë.
Maria deklaron se provë kryesore video që mund të ndihmonte për të sqaruar ngjarjen është zhdukur. Ajo thotë se policia priti derisa pamjet nga kamerat të fshiheshin automatikisht pas 3 muajsh.
Ajo gjithashtu thotë se autoritetet ia mbajtën pasaportën dhe e penguan të largohej nga Dubai. Dy prej burrave që ajo përmendi u ndaluan vetëm për një ditë, për t’u liruar më pas për mungesë provash.
Sipas nënës së saj, Anna Kovalchuk, hetimi zyrtar gënjeu, duke pretenduar se Maria kishte tentuar vetëvrasje gjatë një përpjekjeje për të shpëtuar nga dhuna seksuale, çka sipas tyre është një gënjeshtër e pastër. Testet mjekësore gjithashtu përjashtuan praninë e substancave në trupin e saj.
Nëna e saj tha se autoritetet vendore mbuluan një pjesë të kostove spitalore, që arritën në miliona dollarë, por me kusht që Maria të mos dëmtonte reputacionin e Dubait.
Maria mohoi kategorikisht zërat që ajo kishte marrë pjesë në një festë të ashtuquajtur "Porta Potty" një term që përshkruan festa të shfrenuara seksuale me persona të pasur që poshtërojnë gra në këmbim të shumave të mëdha parash.
Policia e Ukrainës, përmes departamentit të hetimeve në rajonin e Lvivit, ka hapur një çështje penale për ngjarjen.