Kanë kaluar tre vite që kur Francesco Totti dhe Ilary Blasi njoftuan ndarjen e tyre pas më shumë se njëzet vitesh dashuri dhe tre fëmijëve së bashku. Divorci i tyre i trazuar i shoqëruar nga akuza të ndërsjella për tradhti ende nuk ka përfunduar, por ndërkohë të dy kanë vijuar jetën: ai me Noemi Bocchi, ndërsa ajo me Bastian Muller, i cili sipas thashethemeve i ka propozuar për martesë. E megjithatë, çifti Totti-Blasi mbetet i paharrueshëm për shumë njerëz.

Së fundmi, ishte vajza e tyre e dytë, Chanel Totti, ajo që rikujtoi dashurinë e madhe të prindërve të saj. Vajza 18-vjeçare publikoi në TikTok një video nga profili “1927 As Roma”, ku Ilary dhe Francesco shfaqen të rinj dhe të dashuruar, gjatë kohës së fejesës së tyre, buzë detit. Në video, Ilary i tërheq me përkëdheli cepin e fanellës së kuqe të Romës. “Nuk do t’i kaloj kurrë...”, shkruan Chanel përkrah videos që u bë menjëherë virale.

Në muajin maj, kur Chanel festoi 18-vjetorin, në festë ishin të pranishëm edhe Ilary dhe Francesco me partnerët e tyre përkatës. Ata thuhet se janë përshëndetur në mënyrë të përmbajtur dhe në rrjete sociale nuk u publikua asnjë foto ku ata shfaqen së bashku, madje as gjatë fikjes së qirinjve në tortë. Por tashmë, Chanel i ka “bashkuar” sërish përmes një postimi të thjeshtë dhe nostalgjik.

Ndërkohë, procesi gjyqësor i divorcit vazhdon: seanca e radhës është caktuar për fundin e shtatorit, dhe palët do të përballen për çështjen e “fajësisë”, për të përcaktuar se kush është përgjegjës për përfundimin e martesës. Si Ilary ashtu edhe Francesco kanë pretenduar gjatë muajve të fundit se marrëdhënia u prish për shkak të tradhtive të njëri-tjetrit.

Ndarja e tyre është kthyer në një nga temat më të përfolura në media, edhe për shkak të të ashtuquajturës “luftë e Rolekseve”: të dy kanë kërkuar pronësinë e disa orëve të shtrenjta Daytona Rolex, dhe nuk ishte e qartë kujt i përkisnin në të vërtetë. Sidoqoftë, të paktën për orët, gjërat janë zgjidhur: Gjykata e Romës ka vendosur për një “kujdestari të përbashkët” të Rolekseve.

Një fund simbolik për një histori dashurie që dikur dukej perfekte.