Seria “Gruaja që vajton” konsiderohet si një vazhdimësi tematike e tragjedisë së paraqitur në pikturën epike të Picasso-s, Guernica. Duke u fokusuar te imazhi i një gruaje që qan, artisti nuk po përshkruante më drejtpërdrejt efektet e Luftës Civile Spanjolle, por po i referohej një imazhi universal të dhimbjes dhe vuajtjes.

Këmbëngulja e Picasso-s që ne ta përfytyrojmë veten në fytyrën e shformuar të kësaj gruaje, në sytë e saj të errët, ishte pjesë e përgjigjes së tij ndaj fotografive që ai po shihte nëpër gazeta të Luftwaffe-s, duke bombarduar Guernica-n. "Gruaja që vajton" ishte e fundit në serinë e pikturave, gravurave dhe vizatimeve që Picasso realizoi si formë proteste.

Në maj të vitit 1937, e ëma e Picasso-s i shkroi atij nga Barcelona se tymi nga qyteti që po digjej gjatë luftimeve i kishte bërë sytë ujë. Mater Dolorosa, Virgjëresha vajtuese, është një imazh tradicional në artin spanjoll, shpesh i përfaqësuar në skulptura të zjarrta baroke me lotë xhami – si këto lotë të ngurtë që rrjedhin poshtë veshit të djathtë të kësaj gruaje. I ati i Picasso-s, vetë artist, kishte realizuar një të tillë për shtëpinë familjare.

Modelja për këtë pikturë – dhe për të gjithë serinë – ishte Dora Maar, e cila punonte si fotografe profesioniste kur Picasso e takoi në vitin 1936. Ajo ishte e vetmja fotografe që u lejua të dokumentonte fazat e njëpasnjëshme të Guernica-s, ndërkohë që Picasso po e pikturonte atë në vitin 1937.

Dora Maar ishte e dashura e Picasso-s nga viti 1936 deri në vitin 1944. Gjatë marrëdhënies së tyre, ai e pikturoi atë në një sërë maskimesh – disa realiste, disa dashamirëse, e disa të tjera torturuese dhe kërcënuese. Picasso ka shpjeguar:
“Për mua, ajo është Gruaja që vajton. Për vite me radhë e kam pikturuar në forma të torturuara – jo nga sadizëm, as nga kënaqësi – thjesht po i bindesha një vizioni që më imponohej. Ishte realiteti i thellë, jo ai sipërfaqësor.”

Photo Credits: https://media.tate.org.uk/art/images/work/T/T05/T05010_10.jpg