Picasso e realizoi këtë vepër madhështore në verën e vitit 1902, në Barcelonë. Ajo konsiderohet si një nga punët më të rëndësishme të Periudhës Blu, gjatë së cilës melankolia tragjike e ngjyrave blu monokrome dhe jeshiles së zbehtë me nuanca blu përcaktonin strukturën emocionale dhe vizuale të pikturave të tij.

“Arti buron nga dhimbja dhe trishtimi” ishte filozofia e Picasso-s në këtë periudhë – një qasje që ai e përpunoi me ndjeshmërinë e thellë të shpirtit spanjoll. Nëpërmjet prizmit të dhimbjes dhe pikëllimit, ai paraqiti shikimet e tij mbi miqtë, të verbrit, të varfrit, nënat e dëshpëruara dhe gratë e margjinalizuara të shoqërisë – përfshirë prostitutat.

Gjatë një vizite në Paris, Picasso vizitoi me vetëdije spitalin Saint-Lazare, i njohur për strehimin e grave të dënuara dhe prostitutave, ku realizoi disa vizatime nga jeta e tyre. Pas kthimit në Barcelonë, i shkroi mikut të tij, poetit Max Jacob:
“Do të pikturoj një pikturë sipas një vizatimi që po ta dërgoj. Takimi mes një prostitute nga një spital burgu dhe motrës së saj, një murgeshe.”

Nga kjo bazë reale, u zhvillua piktura “Dy motrat”, e cila ndodhet sot në Muzeun Hermitage dhe ka fituar një karakter universal.

Në qetësinë e saj statike dhe simbolike, kjo pikturë kujton artin monumental fetar, duke sjellë ndër mend takimin biblik mes Virgjëreshës Mari dhe Elisabeth-ës plakë, nëna e Shën Gjon Pagëzorit, si dhe figurat asketike të murgeshave e murgjve të Mesjetës.

Dy gratë formojnë një hark njerëzor, njësi kompozicionale që ngjan me një hyrje arkitekturore drejt një bote misterioze, të heshtur dhe kozmike. Pikë takimi mes mëkatit dhe shenjtërisë, dhimbjes dhe faljes, “Dy motrat” është një reflektim i thellë i shpirtit njerëzor në kufijtë e jetës dhe shpirtit.

Photo Credits: https://www.pablopicasso.org/two-sisters.jsp#google_vignette