E pikturuar më 30 tetor 1932, “Grua ulur afër dritares” është një nga portretet më madhështore dhe përmbyllëse të një serie kryeveprash euforike që karakterizuan këtë vit kyç në krijimtarinë e Picasso-s. Deri në këtë moment, Marie-Thérèse Walter, muzja e tij, ishte rritur në intensitet dhe ndikim në çdo aspekt të artit të tij. Në këtë portret – një nga më të hijerëndat dhe impresivet që Picasso ka realizuar ndonjëherë për të – ajo ngrihet në një status pothuaj hyjnor: një muzë e idolizuar që mbretëron mbi artistin dhe mbi botën e tij krijuese.
Në një përmasë monumentale, Marie-Thérèse mbush gjithë hapësirën e telajos, e shtyrë deri në kufijtë e sipërfaqes piktorike. Prania e saj nuk dominojnë vetëm në mjedisin e ndriçuar të kompozimit, por edhe në hapësirën e vetë shikuesit. Ajo nuk është më mish e gjak – Picasso e paraqet si një perëndeshë me krahë, një Nike moderne, e ndriçuar dhe e gjallë. E kornizuar nga një panel qielli blu, koka e saj është hënore, e shndritshme dhe skulpturore, si të ishte gdhendur në mermer, ndërsa trupi i saj – i ndjeshëm, i butë dhe sensual – përbëhet nga plane të harkuara që orbitojnë rreth bustit të saj në një të kuqe të zjarrtë.
Bukuria rinore dhe statura mbresëlënëse e Marie-Thérèse frymëzoi në veprën e Picasso-s një fjalor të ri piktoresk, një gjuhë formash që e ndihmonte të eksploronte trupin e saj në mënyrë të dyfishtë – si në dy dimensione, ashtu edhe në tri.
Na vjen menjëherë në mend busti i allçisë i vitit 1931, ku profili i saj – menjëherë i dallueshëm – ka një cilësi të theksuar skulpturore. Konturet e saj janë përshkruar me një vijë të vetme, të prerë dhe të sigurt, si të ishin gjurmët e gishtërinjve të vetë Picasso-s që rrëshqasin butësisht mbi siluetën e dashur të profilit të saj.
Ky vizion i saj – një ikonografi e pastër pamore – do të shndërrohej në motivin qendror të artit të Picasso-s gjatë gjithë viteve 1930, duke e kthyer Marie-Thérèse në jo vetëm në muzë, por në qenien arketip të dashurisë dhe frymëzimit në jetën e tij krijuese.
Photo Credit: Cindy Ord / Staff
Source: Getty Images North America