Aktori dhe komediani i njohur amerikan, Pete Davidson, ka emocionuar fansat me një rrëfim të ndjerë gjatë një interviste në “The Tonight Show” me Jimmy Fallon. Ai ka konfirmuar se do të bëhet baba për herë të parë, duke e cilësuar këtë si ëndrrën më të madhe të jetës së tij.

Pete dhe partnerja e tij, modelja dhe influencuesja Elsie Hewitt, janë në pritje të fëmijës së tyre të parë, që pritet të vijë në jetë gjatë këtij dimri. Lajmin e ëmbël e ka zbuluar vetë Elsie me një postim në rrjetet sociale, ndërsa Pete ka shprehur publikisht emocionet e forta që po përjeton.

“Është ëndrra ime të bëhem baba, kështu që jam shumë i emocionuar. Elsie është e emocionuar, unë jam i emocionuar për ta parë atë si nënë. Jemi super të lumtur,” – u shpreh ai.

Komedianti 30-vjeçar tha gjithashtu se, që prej këtij lajmi, “asgjë tjetër nuk ka më rëndësi”. Ai theksoi se krijimi i një familjeje është bërë prioriteti i tij absolut dhe se mezi pret të përqafojë rolin e ri të babait.

Pete dhe Elsie janë lidhur në fillim të vitit 2025 dhe prej disa muajsh jetojnë së bashku. Çifti është shfaqur i afërt dhe i harmonishëm në daljet publike, dhe ky lajm duket se ka forcuar edhe më shumë lidhjen e tyre.

Ky është një kapitull i ri për aktorin, i cili është përballur ndër vite me sfida personale, por tashmë duket se ka gjetur ekuilibrin në jetën e tij private dhe profesionale.

Fëmija i tyre pritet të vijë në jetë këtë dimër dhe fansat e çiftit mezi presin të shohin Pete në rolin më të rëndësishëm të jetës: atë të një babai.