Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte Macron kanë ngritur një padi për shpifje në Gjykatën Supreme të Delaware në Shtetet e Bashkuara kundër komentatores së djathtë amerikane Candace Owens. Çifti Macron akuzon Owens për përhapjen e qëllimshme të thashethemeve të rreme se Zonja e Parë është transgjinore dhe për promovimin e një “fushate turpërimi global” për përfitime personale dhe për të rritur audiencën e podcast-it të saj.

Sipas padisë, Owens ka përhapur gënjeshtra se Brigitte Macron ka lindur mashkull dhe është identifikuar më parë si Jean-Michel Trogneux, emri i vëllait të saj. Për më tepër, ajo ka pretenduar se Emmanuel Macron është bërë president i Francës si pjesë e një komploti sekret të CIA-s, duke iu referuar teorive konspirative si programi MKUltra.

“Shpifjet e sajuara, të pavërteta dhe absurde përfshijnë pretendime se zonja Macron ka lindur si burrë, ka vjedhur identitetin e dikujt tjetër dhe është transformuar në Brigitte; se ajo dhe Presidenti Macron janë të afërm me lidhje gjaku që kryejnë incest; se Macron është zgjedhur President i Francës si pjesë e një programi të CIA-s për kontrollin e mendjes si MKUltra; dhe se ata të dy janë të përfshirë në falsifikime, mashtrime dhe abuzim me pushtetin për të fshehur këto ‘sekrete’.”

“Meqë zonja Owens ka vijuar të përforcojë këto gënjeshtra edhe pas kërkesave të përsëritura nga avokatët tanë për t’i tërhequr, kemi përfunduar se rruga e vetme e mbetur ishte t’i drejtoheshim gjykatës,” thuhet në një deklaratë të Macronëve. “Fushata shpifëse e zonjës Owens kishte për qëllim të na ngacmonte dhe të na shkaktonte dhimbje neve dhe familjeve tona, si dhe të tërhiqte vëmendje e famë për vete. I dhamë çdo mundësi për të hequr dorë nga pretendimet, por ajo refuzoi. Shpresa jonë e sinqertë është që kjo padi të vendosë të vërtetën dhe të japë fund kësaj fushate shpifjeje njëherë e përgjithmonë.”

Padia përmban 22 akuza dhe kërkon dëmshpërblime monetare, edhe pse shuma nuk është bërë publike.

Ky është një rast i rrallë kur një lider botëror padit për shpifje në SHBA. Kujtojmë se edhe ish-presidenti Donald Trump ka ngritur disa padi të ngjashme, përfshirë një të fundit ndaj The Wall Street Journal.

Për të fituar një çështje për shpifje në SHBA, figura publike si Macron duhet të provojnë se deklaratat janë bërë me “keqdashje të qëllimshme”, domethënë se personi që i ka bërë ka qenë i vetëdijshëm që ishin të pavërteta.

Në një deklaratë, një zëdhënës i Owens tha se ajo “nuk ka ndërmend të heshtë”. Ajo pritet të flasë për padinë në emisionin e saj të mërkurën.

“Kjo është një qeveri e huaj që po sulmon të drejtat e Amendamentit të Parë të një gazetareje të pavarur amerikane. Candace ka kërkuar disa herë një intervistë me Brigitte Macron. Në vend që të japë një koment, Brigitte po përpiqet ta frikësojë një gazetare për ta detyruar të heshtë. Në Francë politikanët mund të frikësojnë gazetarët, por kjo nuk është Franca. Është Amerika.”