Pothuajse dy vite pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Matthew Perry, fytyra ikonike e Chandler Bing në serialin Friends, ngjarje që ndodhi në tetor të vitit 2023, një mjek nga Kalifornia ka pranuar përgjegjësinë e tij për përfshirjen në vdekjen tragjike të aktorit.
Bëhet fjalë për Salvador Plasencia, i cili në një seancë gjyqësore në Gjykatën Federale të Los Anxhelosit është shpallur fajtor për katër akuza lidhur me shpërndarjen e paligjshme të ketaminës, një substancë me përdorim të kufizuar në mjekësi, por që, kur abuzohet, ka efekte të rënda psikoaktive.
«Doktor Plasencia është thellësisht i penduar për vendimet e tij mjekësore gjatë kohës që i ka ofruar ketaminë Matthew Perry-t», deklaroi avokatja e tij, Karen Goldstein. «Ai pranon plotësisht përgjegjësinë, duke u deklaruar fajtor për shpërndarje droge.»
Plasencia përballet me një dënim deri në 40 vite burg, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet në muajt në vijim. Pranimi i fajësisë ka zbuluar gjithashtu një rrjet shumë më të madh, që dyshohet se ka përfituar nga dobësia dhe varësitë e aktorit, i cili prej vitesh luftonte me varësinë ndaj substancave narkotike.
Hetimi federal ka përfshirë edhe katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë krijuar një rrjet shpërndarësish ilegalë rreth yllit të Friends. Prokurorët e kanë cilësuar veprimin e tyre si një qasje “grabitqare”, që synonte të përfitonte nga varësia dhe fama e Perry-t për përfitime të shpejta financiare.
Një nga provat kyçe është një mesazh i përgjuar i doktor Plasencia, ku ai shkruante:
«Pyes veten sa do të më paguajë ky idiot», vetëm pak ditë para se aktori të ndërronte jetë.
Por nuk janë vetëm mesazhet që e implikojnë mjekun. Autoritetet besojnë se Plasencia e ka furnizuar personalisht Perry-n me ketaminë, ose ia ka dorëzuar dozën ndihmësit të aktorit i cili tani bashkëpunon me drejtësinë. Brenda vetëm dy javësh, mjeku i kishte ofruar Perry-t rreth 20 flakonë ketamine, të blerë për disa dollarë dhe të rishitura, sipas hetuesve, me rreth 2,000 dollarë për flakon.
Matthew Perry ishte në një trajtim mjekësor përmes përdorimit të kontrolluar të ketaminës një praktikë që ndonjëherë përdoret për trajtimin e depresionit rezistent. Por jashtë mbikëqyrjes mjekësore, substanca ka efekte të forta disociative dhe euforike, duke u bërë shumë e rrezikshme.
Sipas policisë, në vjeshtën e vitit 2023, Perry kishte rënë sërish në varësi dhe kishte ndërprerë trajtimin zyrtar, duke u bërë pre e njerëzve të pandërgjegjshëm që e furnizonin në mënyrë të paligjshme.
Nuk ishte vetëm Plasencia që e furnizonte aktorin. Ai ka pranuar se pjesërisht e siguronte ketaminën nga një tjetër mjek, Dr. Mark Chavez, i cili gjithashtu është shpallur fajtor. Hetimi ka zbuluar një rrjet të gjerë furnitorësh dhe ndërmjetësish, që funksiononin jashtë çdo kontrolli ligjor.
Ndër emrat më të përfolur është ai i Jasveen Sangha, 41 vjeçe, me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike, e njohur në rrethet hollivudiane si “mbretëresha e ketaminës”. Sipas akuzës, ajo është përgjegjëse për furnizimin e dozës fatale. Ajo është deklaruar e pafajshme, por nëse shpallet fajtore, mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Matthew Perry nuk i kishte fshehur kurrë dobësitë e tij. Në librin “Friends, Lovers and the Big Terrible Thing”, të publikuar pak para vdekjes, ai rrëfente me ndershmëri brutale luftën e tij me alkoolin, opioidet, spitalet dhe rikthimet e vazhdueshme.
«Dua të më kujtojnë sepse kam ndihmuar të tjerët, jo vetëm sepse kam qenë në një sitcom», shkruante ai.
Fatkeqësisht, njeriu që kërkonte të kthente dhimbjen në forcë për të tjerët, u rrethua nga njerëz që e shfrytëzuan, duke i shitur me çmime marramendëse atë që po e shkatërronte përditë.