Piktura “Familja e Madhe” (La Grande Famille) u krijua nga René Magritte në vitin 1963. Në shikim të parë, pyetja e menjëhershme që mund të lindë është mospërputhja e titullit me përmbajtjen, pasi në të nuk ka asnjë imazh të një familjeje, të një njeriu apo diçkaje të ngjashme. Megjithatë, kjo nuk duhet të na çudisë, duke qenë se Magritte është i njohur për kënaqësinë e madhe që ndiente kur arrinte të hutonte shikuesin.
Sfondi i “Familjes së Madhe” paraqet një qiell të zymtë, në prag të një stuhie – ose ndoshta është fundi i saj? Drita rozë në horizont lë të hapur këtë interpretim. Retë ogurzeza, së bashku me detin e dallgëzuar poshtë, evokojnë ndjenja trazimi, ndoshta duke simbolizuar sprovat apo vështirësitë që familjet kalojnë së bashku.
Në anën tjetër, kemi një kontrast të rëndësishëm mes zymtësisë përreth dhe zogut të bardhë përpara – një simbol i zakonshëm i paqes. Ky zog, si një dritare, tregon brenda siluetës së tij një qiell të qetë, blu me re të bardha të fryra, që na japin një ndjesi ngrohtësie, pak a shumë si ajo që përjetojmë në një ditë të bukur vere. Zogu mund të përfaqësojë bashkimin dhe dashurinë brenda një familjeje. Duke paraqitur njëkohësisht harmoninë dhe tensionet, Magritte ka portretizuar me mjeshtëri konceptin e familjes në këtë pikturë, duke evokuar emocione të thella përmes surrealizmit simbolik.
“Të jesh një surrealist do të thotë të përjashtosh nga mendja të gjitha kujtimet e asaj që është parë dhe të kërkosh gjithmonë atë që nuk është parë kurrë.” — René Magritte
Burimi i artikullit:
https://www.renemagritte.org/the-large-family.jsp
Photo Credits:
https://www.renemagritte.org/the-large-family.jsp