Një moment i kapur nga kamerat gjatë një koncerti të grupit Coldplay i ka kushtuar vendin e punës dy drejtuesve të lartë të kompanisë amerikane të teknologjisë. Drejtoresha e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, ka dhënë dorëheqjen pasi u filmua duke përqafuar CEO-n e kompanisë, Andy Byron, gjatë performancës live të bandës së famshme britanike.

Pak ditë më parë, edhe vetë Byron kishte dhënë dorëheqjen, pas publikimit të videos që është bërë virale në rrjetet sociale dhe është kthyer në meme e objekt talljeje në emisione të ndryshme televizive. Në klipin që qarkullon, dy drejtuesit shfaqen duke u lëkundur nën ritmin e muzikës dhe duke përqafuar njëri-tjetrin, derisa kuptojnë se janë në fokusin e kamerës. Në atë moment, vokalisti i grupit, Chris Martin, i drejtohet audiencës me fjalët ironike: “Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”

Pas zhurmës mediatike, kompania Astronomer, e cila merret me të dhëna, analiza dhe inteligjencë artificiale, lëshoi një deklaratë zyrtare ku njoftonte nisjen e një hetimi të brendshëm, pa e përmendur konkretisht videon. Vetëm një ditë më vonë, u konfirmua zyrtarisht dorëheqja e Andy Byron.
Në vend të tij, si CEO i përkohshëm është emëruar bashkëthemeluesi dhe drejtori i zhvillimit të produkteve të kompanisë, Pete DeJoy. Në fjalën e tij të parë publike, ai theksoi:
“Ngjarjet e ditëve të fundit kanë tërhequr një vëmendje mediatike që rrallë përjetohet nga kompani si e jona, e lëre më nga startup-et që veprojnë në skajin e botës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale.”
Ai shtoi se pavarësisht bujës, Astronomer do të vazhdojë të përqendrohet në misionin e saj për të ndërtuar diçka të madhe dhe të qëndrueshme.