Nga Vogue

Kur vrapova maratonën time të parë në vitin 2010 (po, po mburrem), gjëja që më zgjatën në dorë kur kalova vijën e finishit nuk ishte medalja, por një gotë me qumësht çokollate. Rreth meje, të gjithë vrapuesit e tjerë po e pinin me etje. E hutuar, e uritur dhe e etur, iu bashkova dhe unë.

Pse pikërisht qumështi me çokollatë?
“Sjellja e qumështit me çokollatë pas vrapit është kthyer në traditë sepse mbështetet nga shkenca,” shpjegon trajnerja e vrapimit Alysha Flynn. “Ka raportin ideal 3 me 1 të karbohidrateve me proteinat, që ndihmon në mbushjen e rezervave të glikogjenit dhe në riparimin e muskujve pas një stërvitjeje të lodhshme. Përmban gjithashtu elektrolite si kaliumi dhe natriumi për të rihidratuar trupin, si dhe kalcium dhe vitaminë D për shëndetin e kockave – veçanërisht të rëndësishme për gratë që vrapojnë.”

Koha më e mirë për ta konsumuar është brenda një ore nga përfundimi i stërvitjes.

Në një botë ku jemi të fiksuar pas proteinave dhe mbushim dollapët me pluhura proteinike apo mish të kuq, ndoshta një alternativë më e thjeshtë, më e ëmbël dhe e lidhur me kujtimet e fëmijërisë është më efektive.
“Ndryshe nga shumë pije rikuperimi, qumështi me çokollatë është një proteinë e plotë, që përmban të nëntë aminoacidet esenciale – disa prej të cilave trupi nuk i prodhon dot vetë,” thotë Flynn. “Është i përshtatshëm, ekonomik dhe mbështetet nga kërkimi shkencor. Dhe për shumë vrapues, ka shije si një shpërblim.”

Po qumështi i zakonshëm?
“Qumështi me çokollatë në thelb është qumësht i zakonshëm me kakao dhe ëmbëlsues,” thotë dietologia Ayla Barmmer. “Pra, përfitimet bazë janë të njëjta: proteinë, kalcium, karbohidrate dhe kalium natyral.”
Por, sipas saj, kakaoja shton pak vlerë shtesë: përmban flavonoide – antioksidantë që mund të ndihmojnë në qarkullimin e oksigjenit dhe relaksimin e enëve të gjakut. Megjithatë, ky efekt është minimal.
Nëse dëshiron një version më natyral, Barmmer sugjeron të kombinosh qumështin e zakonshëm me një burim karbohidratesh, si një banane apo bukë me gjalpë arrash. “Nuk të duhet domosdoshmërisht sheqeri shtesë i qumështit me çokollatë, por për shumë njerëz është më i përshtatshëm.”

Çfarë ndodh me qumështin bimor?
“Qumështet alternative si ai i bajames nuk ofrojnë të njëjtat përfitime pas stërvitjes,” thotë Flynn. “Janë të varfra në proteina, nuk kanë profilin e plotë aminoacidik dhe nuk përmbajnë mjaftueshëm karbohidrate apo elektrolite.”
Barmmer e përforcon këtë ide: “Qumështi me çokollatë është një opsion praktik dhe i arritshëm për rikuperim, por nuk është magjik. Mund të arrish të njëjtat efekte me kombinime të tjera ushqimore, shpesh me më pak sheqer.”