Evropa është shumë pranë miratimit të një vendimi që pritet të sjellë një ndryshim historik për udhëtarët që fluturojnë me avion. Nëse gjithçka shkon sipas planit, shumë shpejt pasagjerët do të lejohen të marrin në bagazhin e dorës lëngje në sasi më të mëdha se 100 ml – një kufizim ky që ka qenë në fuqi prej vitit 2006.
Ky ndryshim i shumëpritur do të bëhet i mundur falë vendosjes së skanerëve të teknologjisë së avancuar në disa nga aeroportet më të mëdha të kontinentit. Këto pajisje moderne janë të afta të identifikojnë me saktësi substanca të rrezikshme, përfshirë eksplozivët, duke eliminuar nevojën për kufizime strikte mbi lëngjet.
Aktualisht, propozimi është në shqyrtim nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil (ECAC) dhe pritet të miratohet më 25 korrik. Ky vendim do të përfshijë përditësimin e algoritmit të skanerëve Hi-Scan 6040 CTiX, të cilët tashmë janë të instaluar në një pjesë të aeroporteve kryesore evropiane.
Nëse miratohet, rregulli i ri do të zbatohet fillimisht vetëm në aeroportet që kanë instaluar këto pajisje, si: Milano Malpensa dhe Linate, Roma Fiumicino, Bergamo, Catania, Bologna dhe Torino, që përpunojnë së bashku rreth 70 milionë pasagjerë në vit.
Këto janë disa nga përfitimet që do të kenë pasagjerët në aeroportet ku skanerët janë aktivë:
* Lejohet mbajtja e lëngjeve mbi 100 ml në bagazhin e dorës (parfume, shishe uji, verë, vaj etj.)
* Nuk është më e nevojshme nxjerrja e tyre gjatë kontrollit të sigurisë
* Procesi i kontrollit bëhet më i shpejtë dhe më pak stresues
Megjithatë, aeroportet që nuk kanë ende këtë teknologji do të vazhdojnë të aplikojnë rregulloren ekzistuese për kufizimin e lëngjeve.
Kujtojmë se kufiri prej 100 ml për lëngjet u vendos në vitin 2006 si masë sigurie pas sulmeve të 11 shtatorit dhe përpjekjeve të mëvonshme për atentate me eksplozivë të lëngshëm në avionë. Me përparimin e teknologjisë, duket se ky kapitull i gjatë i kufizimeve më në fund po mbyllet.