Beyoncé ka përmbyllur këtë fundjavë turneun e saj madhështor Cowboy Carter, dhe për ta bërë sa më të paharrueshme mbrëmjen, ajo solli në skenë dy nga mikeshat dhe bashkëkëngëtaret e saj të hershme: Kelly Rowland dhe Michelle Williams.
Gjatë koncertit të mbajtur në Las Vegas të shtunën në mbrëmje, ylli i muzikës surprizoi publikun duke thirrur me entuziazëm: “Është Destiny’s Child, bitch!” një moment që ndezi menjëherë atmosferën.
Ky ishte ribashkimi i parë i Destiny’s Child pas shtatë vitesh, që nga performanca e tyre e fundit në skenën e Coachella-s në vitin 2018.
Treshja u shfaq në skenë me veshje të njëjtë, me shkëlqim dhe frymë perëndimore, duke interpretuar disa nga hitet më të dashura të grupit: “Lose My Breath”, “Say My Name” dhe “Bootylicious” kjo e fundit u këndua për herë të fundit në vitin 2013. Ato performuan gjithashtu së bashku këngën “Energy” nga repertori solo i Beyoncé-s.
Grupi Destiny’s Child u themelua në vitin 1997 dhe u shpërbë në 2006 për t’i lënë vend karrierave solo të secilës anëtare. Albumi i parë solo i Beyoncé-s, Dangerously in Love, pati sukses të jashtëzakonshëm dhe fitoi pesë çmime Grammy.
Cowboy Carter është albumi i tetë në karrierën solo të Beyoncé-s dhe turneu për të ka nisur që nga prilli i këtij viti, duke përfshirë Amerikën dhe Europën.
Ndërkohë që kjo epokë muzikore po mbyllet, fansat janë në pritje të pjesës së tretë të trilogjisë së saj muzikore në vitin 2026, që deri tani përfshin albumet Renaissance dhe Cowboy Carter.
Por gjithashtu, me 30-vjetorin e albumit të parë të Destiny’s Child që afrohet në vitin 2028, shumë fansa kanë nisur të spekulojnë për një projekt të ri ribashkimi. Dhe për ata që janë rritur me muzikën e viteve ‘90, një lajm i tillë do të ishte më shumë se mirëpritur.