Kur Princi William të ngjitet në fron dhe të bëhet mbret, Kate Middleton do të bëhet mbretëreshë bashkëshorte (regina consorte). Por a do të thotë kjo se prindërit e saj, Carole dhe Michael Middleton të cilët vijnë nga shtresa e mesme do të marrin ndonjë titull mbretëror? Sipas ekspertëve të familjes mbretërore britanike, kjo është shumë e pamundur.
Megjithëse Carole, një ish-stjuardesë, dhe Michael, një ish-pilot, janë të afërt me familjen mbretërore dhe luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e nipërve të tyre, princave George, Charlotte dhe Louis, titujt mbretërorë u rezervohen vetëm atyre që lindin ose martohen në familjen mbretërore. Nga ana tjetër, titujt fisnikërorë zakonisht trashëgohen nga brezi në brez ose jepen drejtpërdrejt nga monarku.
Në rrethet aristokratike britanike është përfolur shpesh se Carole dhe Michael Middleton e meritojnë një titull, për shembull të shpallen kont dhe konteshë, veçanërisht për mbështetjen e tyre ndaj William dhe Kate gjatë kohës që Princesha ishte në trajtim për kancer. Megjithatë, nuk ka precedent historik që familjarët e një mbretëreshe bashkëshorte të kenë marrë ndonjë titull fisnikëror.
Shembulli i mbretëreshës Camilla e përforcon këtë ide. Ajo ka dy fëmijë nga martesa e saj e parë, Tom dhe Laura, të cilët, pavarësisht ngjitjes së Camillës në fron përkrah mbretit Charles III, kanë vazhduar të jetojnë si qytetarë të zakonshëm. Edhe motra e Camillës, Annabel Elliot një dizajnere e njohur e brendshme dhe e afërt me mbretin nuk ka marrë asnjë titull dhe as nuk është përfshirë në rolin simbolik të “shoqeve të mbretëreshës”.
Pavarësisht mungesës së titujve, marrëdhëniet familjare mbeten të forta. Familja Middleton jeton vetëm disa kilometra larg rezidencës së Princit dhe Princeshës së Uellsit në Windsor. Carole Middleton është përshkruar shpesh si një gjyshe gjithmonë e pranishme, e përkushtuar maksimalisht ndaj nipërve dhe mbesës së saj. Ajo ka treguar më parë se, kur fëmijët vizitojnë shtëpinë e saj në Berkshire, angazhohet plotësisht në aktivitete me ta:
"Vrapojmë në kodra, ngjitemi në pemë, kalojmë në tunelin që çon në park lojërash, bëjmë biçikletë. Gatuaj me ta dhe kërcëjmë për qejf."
Gjatë sëmundjes së Kate Middleton, Carole dhe bashkëshorti i saj kanë qenë një mbështetje thelbësore për të gjithë familjen e princit William.
Sidoqoftë, sipas zërave më të besuar të protokollit mbretëror, edhe nëse Catherine bëhet mbretëreshë, prindërit e saj do të vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre larg titujve dhe ceremonialit zyrtar.